JOQ Albania
Home

Tërmeti, Artan Fuga: E ka zënë me ne shqiptarët dhe po na provon trimëri, burrëri, durim e kurajo
Shkruar nga: L Çela | Publikuar më: 02/12/2019 21:44

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Pedagogu Artan Fuga ka reaguar në rrjetin sociale ‘Facebook’, ku ka shkruar në lidhje me tërmetin, por edhe se si mund ta përballojmë atë.

Ai shkruan se tërmeti e ka zënë me shqiptarët dhe po na provon trimëri, burrëri, durime e kurajo.

Shkrimi i plotë i Fugës:

Prognoza dhe analiza e lëkundjeve sizmike

Unë e kuptoj që ne nuk kemi mundësi parashikimi të ardhjes të tërmeteve (nuk më pëlqen termi “rënie tërmeti”, si bie?) sikurse nuk e dimë dot se kur mbërrin autobuzi i Kamzës ose ai i QUT në qendër. Rrëmujë hesapi. Por, këtë e gëlltisim ndonëse modelet parashikuese të dukurive të natyrës janë të shumta dhe të niveleve të ndryshme. Ne nuk e dimë se kur do të bjerë rrufeja, por që koha do të prishet dhe rreziku i elektricitetit në ajër vjen e rritet shpërthyes si rrufe, këtë probabilisht mund t’a dimë. Por pasi bie rrufeja ne mund t’a dime se përse ra rrufeja. Të dimë nga erdhën ngarkesat elektrike, etj. Ne nuk e parashikojmë me saktësi kur vjen në qendër autobuzi i Senatoriumit, por kur ai vonohet, më pas ne mund të analizojmë se përse u vonua. Pra, tjetër është aftësia parashikuese dhe tjetër ajo e analizës post-factuum, pra pasi ngjarja e paparashikuar të ketë ndodhur. Mirë parashikimin nuk e bëjmë dot, nuk kemi këllqe, po shkaqet e lëkundjeve sizmike a nuk e gjejmë dot pasi ndodhin? Pra, pasi ato po na dërmojnë, lodhin, shkërmoqin shtëpitë, banesat, ndërtesat? Cilat shtresa lëvizin? Ku? Pse? Përse kryesisht në zonën Durrës – Lezhë – Tiranë? Përse vazhdojnë kaq gjatë, ditë me radhë? Përse me një aktivitet sizmik pak më të ulët, por përsëri që ka mbetur disi i qendrueshëm? Cilat shtresa lëvizin? Cfarë lidhje kanë me detin?

Se tërmet si ky që vazhdon një javë rresht dhe nuk thyen qafën i flamosuri sikur nuk kemi parë më parë! E ka zënë me ne shqiptarët dhe po na provon trimëri, burrëri, durime kurajo! Cfarë të bëjmë? Do ta përballojmë! A kemi sizmologë? Se ne merremi me pasojat. Shumë mirë bëjmë, por ku janë gjeologët, sizmologët? Ku shkoi ai dijetari grek? Veç ta dekoronim për parashikim-paralajmërimin e bërë, a nuk e mbanim dot atë ca ditë apo të tjerë të huaj që të na jepnin përgjigjet e pyetjeve sa më sipër? Ose të debatonin? Nuk fton dot Akademia e Shkencave dhjetë ose njëzetë specialistë të këtyre fushave nga qendrat më të njohura në botë për survejimin e qendrave të aktivitetit sizmik për të na ndriçuar sadopak? Cdo institucion duhet të bëjë detyrën e vet sepse gjëja më thjeshtë është që në vend të bësh detyrën tënde shkon kap një lopatë dhe gërmon dheun, ndërkohë që paguhesh për gjë tjetër. Nuk e bën dot Universiteti Politeknik? Përndryshe çfarë t’i duam alibitë! Cfarë t’a duam shkencën nëse nuk e kërkojmë ndihmën e saj sot? Tani, këtu, urgjent.

Sepse aty është rrënja e problemeve, aty dimë se çfarë na duhet të përballojmë. Kështu i ngjajmë një të sëmuri që pret goditjen tjetër ta zemë një krizë veshkash, e qetësojnë me medikamente, por shkakun e krizës nuk ja gjejnë. E morëm vesh që kush guxon të parashikojë dukuri të natyrës shpallet “idiot” nga Piramida, por kur kërkon të analizohen shkaqet e tyre edhe atëhere “idiot” je?Sepse duket që fatalisht presim goditjen e rradhës sikur “dikush” na “rreh me kamzhik”, na “godet me tokmak” në mosnjohje absolute. Sigurisht që edhe po i njohim shkaqet nuk i parandalojmë dot nëse janë madhore, por ndërkohë dija siguron, qetëson, drejton menaxhimin e pasojave. Dije që na duhet edhe për më pas! Të dimë nga na vjen rreziku. Po shoqëritë e sigurimeve të pasurive të paluejtshme nuk janë të interesuara për këtë analizë? Mos e famshmja ndjenjë pritjeje dhe fataliste lindore na ka mbëthyer dhe nuk duam të dimë shkaqet e asaj që ndodh!