Ditën e djeshme redaksia e JOQ Albania, referuar burimeve nga një media greke, publikoi një lajm, ku raportohej se një adoleshent shqiptar kishte rënë pre e dhunës së ushtruar nga një punonjës i policisë helene.
Incidenti i rëndë ndodhi pak ditë më parë në Athinë, ku 18-vjeçari shqiptar me iniciale N.P., ka rrëfyer për median greke "3 Point" se u dhunua fizikisht nga një polic grek, pasi i tregoi se ishte me origjinë shqiptare.
Adoleshenti shqiptar tregoi se po ecte orët e vona të mbrëmjes në Patisiona, një ndër rrugët kryesore të Athinës, së bashku me një bashkëmoshatarin e tij grek, i cili kishte ditëlindjen, kur u ndaluan nga një patrullë e policisë greke.
Policët i futën në një rrugicë, ku iu kërkuan letërnjoftimet. Të rinjtë nuk kishin me vete mjetet e identifikimit, ndërsa policët nisën procedurat përkatëse.
Një prej policëve i pyeti se nga ishin. 18-vjeçari shqiptar u shpreh se pasi i tregoi se ishte me origjinë nga Shqipëria, polici grek e kapi për fyti dhe nisi ta godasë me grushte.
Më pas dy adoleshentët u prangosën dhe u dërguan në stacionin policor të Kipselit në Athinë, ku kontaktuan të afërmit për të konfirmuar identitetin e tyre.
Kur prindërit e fëmijëve mbërritën në komisariat, mbetën të shokuar. Policët e përfshirë në arrestimin e dy adoleshentëve ishin zhdukur dhe nuk ndodheshin në komisariat.
Një nga oficerët e policisë iu lut prindërve që të mos ngrenin padi, ndërsa nga ana tjetër kërcënonte fëmijët të mos tregonin gjë. Ndaj punonjësve të policisë të përfshirë në këtë skandal është ngritur padi nga familjarët e dy adoleshentëve, ndërsa mbi ta ka nisur edhe një hetim.
Ndërkohë, nuk ka asnjë reagim nga Ambasada shqiptare në Greqi lidhur me këtë incident të rëndë.
Ndonëse në Athinë ndodhet një trupë diplomatike shqiptare, e cila përfaqëson shtetin tonë atje dhe ka përgjegjësi dhe detyrime ndaj shqiptarëve që jetojnë atje, asnjë zë nuk ka dalë nga ambasada shqiptare, për më tepër që bëhet fjalë për një nxënës 18-vjeçar, i cili u dhunua nga punonjës policie të shtetit helen, gjë e cila e bën më të madh këtë skandal.
Por ky nuk është rasti i parë që ambasada shqiptare në Greqi hesht. 16 shqiptarë u vranë në shtetin helen gjatë vitit 2018, e mbi dhjetë të tjerë gjatë këtij viti dhe ambasada shqiptare atje, nuk ka bërë asnjë reagim të vetëm.
Ky është turpi diplomatik i rradhës, ku trupa diplomatike e akredituar në vendet jashtë Shqipërisë, të cilëve disa ditë më parë iu doli boja, pasi u zbuluan emërime nepotike, si dhe diplomatë të cilëve iu kishte përfunduar mandati, jo vetëm që nuk e bën detyrën e saj për garantimin e të drejtave të qytetarëve shqiptarë që banojnë jashtë shtetit, por nuk bën as gjënë më minimale, një reagim zyrtar.
Jo më larg se disa ditë më parë, një tjetër ambasador shqiptar i akredituar në Turqi, Gent Gazheli, tregoi arrogancë dhe bëri një gjest të ulët, kur bëhej fjalë për fatin e 11-vjeçarit, Alvin Berisha, i cili ishte izoluar në kampin famëkeq Al-Hawl në Siri prej disa vitesh.
Çdo qytetar mund të ngre një pyetje dhe me të drejtë: Për çfarë paguhen ambasadorët dhe trupa diplomatike shqiptarë, që pretendon se përfaqëson interesat e qytetarëve shqiptarë, që jetojnë jashtë Shqipërisë? Pse heshtin ambasadat kur shqiptarëve, që u detyruan të largohen jashtë vendit për një jetë më të mirë, iu bëhen padrejtësi? Këtyre pyetjeve mund t'i përgjigjet vetëm qeveria, e cila duhet "komplimentuar" dhe "përgëzuar" për trupën diplomatike që ka zgjedhur për të garantuar të drejtat e shqiptarëve anembanë botës.
JOQ Albania