JOQ Albania
Home

650 mijë dollarë nga PD me qëllim lobimin në SHBA? Prokuroria pushon një akuzë, Basha shkon në gjykatë
Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 08/11/2019 16:42

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë dosjen për kreun e opozitës Lulzim Basha, ish sekretarin e përgjithshëm Arben Ristani dhe financierin e Partisë Ilir Dervishi.

Tre të pandehurit do të gjykohen për "falsifikim të vulave dhe stampave" ndërsa është pushuar hetimi për pastrimit të produkteve të veprës penale.

Materialet e kësaj çështje i janë dërguar gjykatës e cila do të vendosë për dergimin apo jo të çështjes në gjyq.

Objekti i akuzës, sipas prokurorisë bën fjalë për transferimin e pagesës prej 650 mijë dollarë nga Partia Demokratike me qëllim lobimin në SHBA.

Referuar nenit 190 të Kodit Penal në veprën penale të parashikuar në paragrafin e tretë mbi bazën e të cilit akuzohen tre të pandehurit, kjo vepër penale dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Hetimi për këtë çështje ka nisur dy vite më parë ndërsa gjatë fazës së mbledhjes së provave Lulzim Basha, Arben Ristani dhe ish-financieri i PD janë paraqitur dy hyrë në prokurori për të dhënë shpjegime.

Ata kanë hedhur poshtë akuzat duke pretenduar se hetimi është i motivuar politikisht.

Prokuroria ka pushuar ndaj tyre akuzën për "Pastrim të produkteve të veprës penale".Tre zyrtarët e lartë të PD akuzohen për “Falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve."

Ndërkohë pritet të merret në pyetje Nik Muzini në SHBA pasi kërkon garanci nga shteti shqiptar.

Sa rrezikon Basha?

Referuar nenit 190 të Kodit Penal veprat penale "Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.

Kjo është hera e parë ku kemi një rast të tillë kur lideri i opozitës merret i pandehur dhe dërgohet në gjykatë për akuza penale. Kjo vendimmarrje dhe ky akt do të ketë një pasoje në jetën politike të vendit.

Gazetarja Klodiana Lala shprehet se në lidhje me dosjen e Lulzim Bashës, është bërë debat në Prokurorinë e Tiranës. Nga tre prokurorët që kanë pasur dosjen në dorë, dy prej tyre e kanë firmosur atë, ndërsa një prej prokurorëve nuk ka firmosur.

Mësohet se prokurori që nuk ka firmosur prokurori Kol Hysenaj.