JOQ Albania
Home

“Si po vidhen paratë publike nga qeveria, rritet me 35 milionë euro pas tenderit fatura e PPP-së së laboratorëve”
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 07/11/2019 21:46

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

PPP-të e qeverisë po tentojnë të zaptojnë çdo sektor të ekonomisë shqiptare, ndërsa vijojnë të bëhen publike skandalet e njëpasnjëshme me koncesionet.

Së fundmi, ish-deputeti demokrat, Agron Shehaj ka denoncuar një tjetër aferë korruptive të qeverisë në lidhje me koncesionet.

Përmes një statusi në "Facebook", Shehaj publikon një dokument, sipas të cilit shprehet se qeveria ka rritur faturën e koncesionit të laboratorëve me 35 milionë euro pas tenderit.

Sipas Shehajt, e gjithë kjo ka ndodhur pa asnjë shpjegim dhe në shkelje të ligjit, ndërsa thekson se një gjë e tillë është bërë në mënyrë jo transparente.

Ish-deputeti thekson se kompani që ka fituar tenderin është "guackë" dhe nuk i dihen pronarët.

Denoncimi i plotë:

Skandalet korruptive të Rilindjes nuk kanë të sosur. Ky është dokumenti zyrtar që tregon se në mënyrë të beftë, qeveria ka rritur faturën e koncesionit të laboratorëve me mbi 35 milionë euro pas tenderit.

Draftbuxheti i vitit 2020 zbulon se qeveria do të paguajë 12,8 miliardë lekë për koncesionin e laboratorëve. Oferta e deklaruar fituese në tender nga qeveria, ishte 9 miliardë lekë.

Skandali është akoma më i madh nëse konsiderojmë që ministria e Shëndetësisë ka deklaruar zyrtarisht që vlera e Koncesionit të laboratorëve ishte 9 miliardë (66 mln euro). Kjo vlerë është aprovuar edhe në ligjin e Buxhetin e Shtetit për 2018 dhe 2019.

Por pa asnjë shpjegim dhe në mënyrë krejtësisht jo transparente, vlera e Koncesionit sipas draftit të buxhetit, kalon nga 9 miliardë lekë që ishte, në 13 miliardë lekë, pra 4 miliardë lekë (gati 35 milionë euro) më shumë, pa dhënë asnjë shpjegim dhe në shkelje të ligjiit.

Koncesioni i laboratorëve është një aferë korruptive, jo vetëm për rritjen e vlerës prej dhjetëra miliona euro, por edhe për faktin që kompania që ka fituar tenderin, është e llojit Guackë dhe për të cilën është e pamundur të dihet kush janë pronarët.

Lejimi i pjesëmarrjes së kompanive Guackë në tenderat publike, është tregues i qartë i vjedhjes së parave publike nga qeveria shqiptare.