Mjaftojnë pak minuta shi, që qyteti i Durrësit të kthehet në Venecia.
E njëjta situatë ka ndodhur edhe pasditen e sotme, ku qyteti bregdetar është përfshirë nga reshjet e shiut.
Një qytetar nga Durrësi ka dërguar në redaksinë e JOQ Albania pamje nga zona e Vollgës në lagjen nr.1 të qytetit, ku rrugët janë përmbytur, ndërsa makinat ngjasojnë me "skafe" që 'notojnë' mbi ujë.
Kjo situatë, që është bërë diçka e zakonshme për qytetarët e Durrësit, ka sjellë vështirësi në qarkullimin e mjeteve.
Ankesat e banorëve të qytetit bregdetar duket se kanë shkuar në vesh të shurdhër, pasi sistemi i kanalizimeve vijon të mbetet problematik në Durrës.
Jo më larg se pak ditë më parë, e njëjta situatë u raportua nga Durrësi.
Dhe e gjithë kjo ndodh teksa jemi në prag të stinës së dimrit, që sjell me vete reshje të dendura dhe intensive shiu.