JOQ Albania
Home

Konçensionet në shëndetësi, ja si shpërdorohen paratë e shqiptarëve
Shkruar nga: L Çela | Publikuar më: 21/10/2019 21:05

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Nuk kanë të mbaruar rastet kur paratë e qytetarëve shqiptarë, shpërndahen tek njerëzit më të afërt të qeverisë.

Së fundmi, Pamfleti, zbulon se si shuma e 3.6 milionë eurove merret nga buxheti i shtetit për të mbushur xhepat e njerëzve të afërt të Edi Ramës.

Në dokumentet e dala nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, thuhen disa të vërteta mbi konçensionet në shëndetësi, pikërisht për ato që jo më larg se tre ditë më parë , Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, i quante si një nga punët më të mira të kësaj qeverie. Por realiteti nuk është kështu

Së pari duke paguar para për shërbime kurrë të kryera.

Auditi i kryer nga Kontrolli Lartë të Shtetit ka nxjerrë në pah mbrojtjen që iu sigurojnë kushtet e kontratave, kompanive konçesionare dhe paratë e derdhura lumë, për shërbime që shqiptarët nuk i marrin. Këto kontrata të hartuara nga ish- Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, urdhëruar e miratuar nga Edi Rama, të zbatuara aktualisht me rigorozitet nga Ogerta Manastirliu, i hapin dritën jeshile çeqeve publike për shërbime të pakryera. Kështu, nga auditimi mbi monitorimin e kontratës së kontrollit bazë, check up, rezultoi se edhe në 2018-ën, nuk janë arritur projeksionet e kontratës duke bërë që, pagesat e marra tepër nga koncesionari, pra Vilma Nushi, për punën e pa kryer për vitet 2015, 2016, 2017 dhe 2018, të shkojë në 801 milion lekë.

Edi Rama i ka falur Vilma Nushit 801 milion lek!

Pavarësisht kësaj, Vilma Nushit vazhdon të reklamohet nga institucionet shëndetësore si sukses!

E njëjta situatë rezulton edhe nga auditimi mbi monitorimin e paketës së hemodializës, e cila zë peshën më të madhe të 10 paketave spitalore në vlerën 2.095 milion lekë, ku sipas kontratës koncensionare, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor duhet të paguajë koncensionarin për numrin e projektuar të pacientëve dhe seancave, pavarësisht se numri real i pacientëve dhe i seancave është më i ulët se ai i projektuar.

Sipas KLSH, 89% vlerës së paketës realizohet në subjekte private dhe me PPP.

Sërish para të dhuruara. Vjedhin shqiptarët dhe mbushin xhepat e konçensionarëve. Veçse në këtë PPP fitojnë me thasë edhe spitalet provate.

Kontrata e tretë që shumë shpejt do të kthehet në një gropë të ngjashme financiare është ajo e sterilizimit të pajisjeve spitalore kirurgjikale. Sipas KLSH-së vlera e këtij shërbimi për vitin 2018 është rritur ne 954 milion lekë, ose 84% më shumë se një vit më parë, rritje e pa parashikuar dhe jashtë parashikimeve të institucionit, duke krijuar detyrim të prapambetur në vlerën 306 milion lekë.

Pra pritet që vitin tjetër Edi Rama ti dhurojë konçensionarit të radhës 306 milionë lek.

E keqja më e madhe e kësaj kontrate është se nuk ka asgjë të përcaktuar apo detajuar se për çfarë pakete specifike bëhet fjalë, për çfarë lloj operacioni kirurgjikal dhe për çfarë pajisjesh kirurgjikale.

Kontrata e konçensionit të sterilizimit është hartuar me kushte favorizuese vetëm për konçensionarin. Kujtojmë se kontratën e sterilizimit të pajisjeve mjekësore e ka fituar kompania SaniServis, e cila vazhdon e mbledhë shumën e borxhit, pa ndaluar, sepse është i sigurtë që Edi Rama do ia paguajë, në mos këtë vit, vitin e ardhshëm. Dhe faturon para për një proces sterilizimi i cili, deri dje funksiononte për bukuri dhe kryhej nga vetë spitalet.

Vetëm me një llogari të thjeshtë, me paratë e harxhuara deri tani, jo vetëm që spitalet do t’i kryenin vetë këto shërbime me specialistët e tyre, por ato do të kishin qenë të mjaftueshme edhe për blerje pajisjesh dhe aparatura moderne spitalore, aq të nevojshme për shëndetësinë e mjerë shqiptare.