JOQ Albania
Home

Bilanc lufte nga aksidentet rrugore në Shqipëri, në 9 muaj humbën jetën 157 persona
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 21/10/2019 20:18

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Mbrëmjen e së shtunës ndodhi një aksident i rëndë në hyrje të tunelit të Krrabës në autostradën Tiranë-Elbasan, ku humbi jetën vëllai i deputetes socialiste, Blerina Gjylameti. 37-vjeçari Elton Maçolli, specialist helikopterësh pranë bazës ajrore të Farkës, u përplas me një kamion, gjë e cila shkaktoi shpërthimin e makinës së tij, duke i marrë jetën.

Po ashtu tre persona humbën jetën ditën e djeshme në tre aksidentet të ndryshme rrugore në vend, duke shënuar një bilanc tragjik. Një drejtues motoçiklete mbeti i vdekur pasi u përplas nga një automjet. Në autostradën Kavajë-Durrës, një 80-vjeçar u përplas për vdekje nga një automjet, ndërsa në Divjakë, një 17-vjeçar pa leje drejtimi, përplasi me makinë një 64-vjeçar që po udhëtonte me biçikletë, i cili gjeti vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.

Sipas shifrave të publikura nga INSTAT, numri i aksidenteve gjatë muajit shtator ka pësuar ulje, por ajo që është vënë re është se janë regjistruar më shumë viktima.

Nga 34 aksidente që janë regjistruar në muajin shtator të këtij viti kanë humbur jetën 20 persona, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë shënuar 9 viktima.

Për periudhën janar-shtator, rezulton se ka shumë të vdekur se sa e njëjta periudhë e 2018-ës.

152 viktima janë shënuar në vitin 2018 gjatë kësaj periudhe 9-mujore, ndërsa këtë vit 157 persona kanë humbur jetën në aksidente rrugore.

Sipas INSTAT, shkaktorët kryesorë të aksidenteve në 85.8% të rasteve kanë qenë drejtuesit e mjeteve.