JOQ Albania
Home

Rama del ‘blof’, nuk ka ngritur asnjë padi ndaj gazetarit që publikoi përgjimet e rilindasve
Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 21/10/2019 10:40

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Përgjimet e publikuara nga gazetari i gazetës Bild në Gjermani, që nxirrnin zbuluar shit-blerjen e votës nga drejtues të lartë të Partisë Socialistë bënë bujë të madhe në Shqipëri, por dhanë rezultat të vogël mbi ndëshkimin.

Të ndodhur në situatën e kapjes ‘mat’, kryeministri Edi Rama deklaroi me të madhe se do të padiste në Gjykatën Gjermane gazetarin e BILD, Peter Tiede.

Por, ndoshta i ndodhur në faj dhe duke mos patur asgjë për të paditur, është zbuluar se Rama nuk ka ngritur asnjë padi ndaj gazetarit apo edhe gazetës Bild.

Kanë kaluar katër muaj, por nuk ka patur asnjë lajm se çfarë ka ndodhur me padinë e zotit Rama ndaj Bild, raporton exit.al.

Për të mësuar mbi ecurinë e saj, Exit.al bashkëpunoi me një avokat gjerman, Nils Bruckhuisen, përmes të cilit u përpoqëm të kuptonim akuzat e mundshme që Zoti Rama mund të kishte ngritur ndaj Bild dhe Zotit Tiede, bazuar mbi ligjet gjermane, por edhe për të peshuar gjasat e fitimit të një çështjeje të tillë.

Në një artikull vlerësues që ne botuam, bazuar në arsyetimet e Zoti Buckuisner, mbas vlerësimit të fakteve të bëra publike deri tani, arritëm në përfundimin se padia e Zoti Rama ndaj Bild, qoftë civile apo penale, ka pak gjasa të jetë e suksesshme.

Por, spekulimeve të Exit.al mbi meritat e mundshme të padisë, i dha fund Zoti Tiede, i cili pasi lexoi artikullin tonë na informoi:

“Nuk ka padi. Pati një letër. Asgjë më tepër. As padi, asgjë!”

Zoti Tiede i referohet një letre të dërguar në muajin gusht nga përfaqësuesit e Kryeministrit Rama, që sikurse e kemi raportuar më parë, është injoruar nga Bild.

Me gjasë, në këtë letër avokatët e Zoti Rama kanë pretenduar se Bild ka shtrëmbëruar faktet me botimin e audiopërgjimeve dhe kanë kërkuar botimin e një përgënjeshtrimi nga ana e saj apo më pak gjasa, një dëmshpërblim, për ta zgjidhur çështjen “me mirëkuptim” midis palëve.

Normalisht, kur letra të tilla shpërfillen, ato pasohen nga një padi.

Por kjo nuk ka ndodhur ende. Pavarësisht kërcënimeve dhe mburrjes publike, Kryeministri Rama nuk e ka paditur kurrë gazetën Bild dhe Peter Tieden në gjykatat gjermane.