Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi ndodhi pak minuta më parë në hyrje të tunelit në autostradën Tiranë-Elbasan.
Një qytetar ka dërguar në redaksinë e JOQ Albania pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihen dy automjetet e përfshira në aksident, kamioni dhe mjeti tip "Seat" me targa të huaja.
Sipas qytetarit, makina kishte përfunduar poshtë kamionit, për shkak të një parakalimi të gabuar.
Ky parakalim i gabuar i kushtoi jetën drejtuesit të automjetit, identiteti i të cilit ende nuk është bërë me dije nga policia.
Siç shihet dhe në video, automjeti ku po udhëtonte viktima ka pësuar dëmtime të rënda dhe dyshohet se ka shpërthyer.
Sipas të dhënave paraprake, mësohet se drejtuesi i mjetit është gjetur i djegur brenda në automjet.
Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.