JOQ Albania
Home

11-vjeçari u braktis nga pala shqiptare, “Le Iene” apel kryeministrit italian: Bëni diçka për Alvinin, menjëherë!
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 19/10/2019 20:00

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Historia e trishtë e 11-vjeçarit shqiptar, Alvin Berisha, e cila u publikua mbrëmjen e djeshme në emisionin investigativ "Le Iene" të Mediaset në Itali, ka prekur jo vetëm mbarë opinionin publik shqiptar, por edhe atë italian.

Alvini i vogël u mor në Siri nga nëna e tij në vitin 2014, e cila humbi jetën në luftë, ndërsa babai i tij, Afrim Berisha bëri gjithçka për t’u ribashkuar me të.

Emisioni investigativ "Le Iene" bëri të mundur takimin e babait me të birin, pas 5 vjetësh, ku përqafimi mes tyre ishte tejet prekës. Alvini ndohet në një kamp në pjesën kurde të Sirisë, ku mbahen të izoluar të gjithë personat që janë akuzuar për lidhje me ISIS, si dhe familjarët e tyre.

Alvini i vogël, i cili e gjen veten mes terroristëve, madje rrezikohet edhe nga bombardimet turke, të cilat priten të rifillojnë sërish pas disa orësh.

Emisioni "Le Iene" i ka bërë thirrje tre ditë më parë kryeministrit italian, Giuseppe Conte dhe ministrit të Jashtëm, Luigi di Maio, për të bërë të mundur sjelljen e 11-vjeçarit në banesën e tij në Itali, para se të jetë vonë, pasi paturpësisht, pala shqiptare nuk e mori përsipër rastin.

Ambasadori shqiptar në Turqi, Gent Gazheli, i cili fillimisht i premtoi gazetarëve të "Le Iene" se do ta zgjidhte këtë problem, kur u telefonua sërish nga Pelazzo, i mbylli telefonin për të mos ja hapur më, gjë e cila përbën një skandal të madh diplomatik, pasi tërheqja e tij ishte totalisht e pakuptueshme dhe e paarsyeshme, njëkohësisht një veprim i papërgjegjshëm dhe jo etik, kur bëhet fjalë për rastin e një fëmije të mitur e të pafajshëm.

Mirëpo, për fat të keq, në këto tre ditë asgjë nuk ka ndryshuar, pasi autoritetet italiane nuk kanë bërë asnjë lëvizje për të shpëtuar 11-vjeçarin shqiptar nga ferri i atjeshëm, raporton "Mediaset".

Gazetari që mori përsipër këtë çështje, Luigi Pelazza tregoi për betejën e babait të Alvinit, Afrim Berishës, për ta sjellë përsëri djalin e tij në Itali.

Nga viti 2014, Afrimi nuk mundi dot ta takojë birin e tij, nga i cili mbante vetëm disa fotografi si kujtime, kur Alvini ishte 6-vjeç,  në kohën kur u mor nga nëna e tij.

Pelazza tregon se kur shkoi tek Afrimi, ai ishte shprehur me lot në sy:

Kam 5 vjet që i shikoj këto foto."

Alvini i vogël mbeti i plagosur në këmbë gjatë sulmit ku mbeti e vrarë nëna e tij, Valbona, së bashku me tre fëmijë të tjerë.

Emisioni "Le Iene" thekson se ky rast do të ketë vëmendje të veçantë nga stafi dhe çdo ditë do t’i bëhet thirrje kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm italian që Alvin të kthehet përsëri në Itali.

Burimi: Mediaset|Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania