JOQ Albania
Home

“Është i plagosur, i vetmuar, i trembur”/ Babai i Alvin Berishës letër publike shtetit shqiptar
Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 19/10/2019 13:33

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Afrim Berisha, është babai i Alvin Berishës, 11-vjeçarit të zhdukur në Siri, të cilin ai arriti ta takojë pak ditë më parë por nuk e rimorri dot atë pranë familjes. Sot ai ka bërë publike një letër, ku i kërkon shtetit dhe çdokujt që ta ndihmojë në gjetjen dhe kthimin në shtëpi të djalit të tij të vetëm.

Ai shprehet se Alvini është i plagosur dhe ka nevojë për mjekim urgjent. Alvini është i vetmuar, i trembur dhe duhet të largohet sa më shpejt nga Siria.

Letra është bërë publike përmes avokatit të tij, Darien Levani.

Kujtojmë se Alvini mund të ishte pranë familjes tani në qoftëse ambasadori shqiptar në Turqi Gent Gazheli nuk do të kishte mbyllur telefonatën e emisionit italian "Le Iene".

Në vijim letra plotë:

Alvin Berisha është një fëmijë shqiptar i cili aktualisht ndodhet në Siri pranë kampit Al Hawl.

Në vitin 2014, kur ishte vetëm 5 vjeç, Alvini është çuar në Siri nga e ëma, pa dijeninë e babait. I ati, Afrim Berisha, nuk ka kaluar ditë pa e kërkuar. As lufta, as frika, as largësia, as pengesa ekonomike e as ISIS nuk e kanë ndaluar, me bindjen e me dashurinë që vetëm një baba mund të ketë. Pas pesë vitesh, në 25 shtator 2019, e ka gjetur Alvinin në kamp, e ka përqafuar fort dhe i ka premtuar që tani nuk do ndaheshin më. Por forcat kurde që ruajnë kampin nuk e kanë lejuar që ta marrë me vete, sepse për këtë duhet që aprovimi të kërkohet dhe të merret nga Shteti shqiptar.

Alvini është vetëm 11 vjeç, Alvini është i plagosur e ka nevojë për mjekim urgjent, Alvini është i vetmuar, Alvini është i trembur, Alvini duhet të largohet sa më shpejt nga Siria.

Istitucionet kompetente shqiptare janë në dijeni të kësaj situate dhe po punojnë për të mundësuar kthimin e tij në Shqipëri. Kemi besim të plotë tek puna që po bëjnë si për Alvinin, si për të gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë që ndodhen aktualisht në Siri. Kemi besim dhe shpresë që nëse të gjithë bëjnë punën e tyre, Alvini do kthehet së shpejti. Por jemi edhe të shqetësuar, sepse lufta në Siri po ashpërsohet dhe koha nuk premton. Në Al Hawl ndodhen plot 73.000 veta që jetojnë në një situatë të tmerrshme, e kjo na tremb. Nëse sot e bëjmë dhimbjen tonë publike, e bëjmë këtë vetëm për t’ju lutur kujtdo mund të na ndihmojë, që të na ndihmojë: duke punuar më shpejt, duke na dhënë informacione mbi gjendjen e Alvinit, duke na mbështetur qoftë edhe me një fjalë të mirë.

Sot lutemi e kërkojmë ndihmë. Nesër, larg qoftë i ndodh diçka Alvinit, do kërkojmë llogari.

Me respekt
Afrim Berisha
Avv. Darien Levani

Celulari shqiptar: 00355 06933447510
Celulari italian: 0039 3295327386
Mail: [email protected]