JOQ Albania
Home

Zgjedhjet në Kosovë/ KQZ vendos për rinumërimin e votave në 303 vendvotime
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 09/10/2019 17:36

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Tre ditë pas zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, ku fitues u shpall subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, KQZ ka vendosur në mënyrë unanime miratimin e rekomandimit të Qendrës së Rinumërimit.

Sipas këtij rekomandimi, do të rinumërohen 303 vendvotime, në të cilat ka pasur gabime teknike në formularët në të cilët janë bartur votat.

Lajmi u bë me dije nga kryetarja e KQZ-së së Kosovës, Valdete Daka, e cila thekosoi se kanë ndodhur gabime teknike në shtypjen e formularëve.

Sipas Dakës, këto gabime kanë shkaktuar "hutim" tek komisionerët gjatë procesit të numërimit dhe shënimit të votave.

Më tej, kryetarja e KQZ sqaroi se këto  shkaqet për këto gabime do të zbulohen gjatë ditëve në vijim.

Ajo u shpreh: 

Formularët janë shtypur gabimisht, i kujt është faji do të zbulohet gjatë ditës së ardhshme, dhe do të dihet pse ka ardhë deri tek shtypja e gabueshme. Sekretariati është përgjegjës për shpërndarjen e formularit në të gjithë Kosovën. Subjektet të cilat kanë qenë të renditura në fletë votim dhe janë renditur edhe në formular, subjektit të parë i mungon rubrika, dhe për rrjedhojë disa komisionarëve që iu ka dhezë llampa i kanë shkruar me saktësi, ndërsa disa të tjerëve që s’iu ka dhezë kanë vazhduar prej subjektit të dytë. QNR i ka zbulu 303 vendvotime ku formularët janë plotësu në këtë mënyrë, dhe si përfundim është që këta formularë nuk mund të procedohen si të tillë, pasi që janë plotësu në mënyrë të gabueshme. E kemi rekomandimin e Burimit që të rinumërohen këto 303 vendvotime, sepse janë plotësuar në mënyrë të gabueshme. Nuk ka dyshime që janë plotësuar me qëllim, por që ka ndodhë sipas një gabimi teknik.”

Pas fjalës së Dakës, rekomandimi u hodh në votim dhe u miratua me shumicë votash në KQZ nga të gjithë përfaqësuesit e partive politike.

Kujtojmë se diferenca mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së ka qenë mjaf e ngushtë dhe nuk dihet nëse ky rinumërim mund të ndikojë në rezultatin final.

Ditën e sotme, nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, konfirmoi pranoi krijimin e koalicionit me VV-në.

***

Për t’u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI JOQ ALBANIA: https://m.facebook.com/groups/komunitetiJOQ/