Kjo merkato vere ka qenë shumë e nxehtë për Neymar. Ylli brazilian deklaroi hapur se donte largimin nga PSG-ja dhe Barcelona, Real Madridi, apo dhe Juventusi tentuan ta merrnin në ekip thuajse gjatë gjithë verës.
Megjithatë, shifra e transferimit të tij ishte e papërballueshme për këto ekipe, ndaj Neymar mbeti në Francë. Tashmë ai është rikthyer të luajë me ekipin e tij, madje në ndeshjen e djeshme ndaj Lionit ka qenë vendimtar me golin e tij.
Kur ndeshja po shkonte drejt barazimit 0-0, ka menduar Neymar. Gjatë një aksioni në zonën e kundërshtarit, braziliani ka përfituar dhe e ka dërguar topin në rrjetë dhe duke vulosur fitoren për parisienët.
Kështu, në mungesë të Kavanit, Ikardit dhe Mbape, vendimtar u shfaq pikërisht Neymar. Pas këtij suksesi, PSG mban vendin e parë në klasifikim me 15 pikë në 6 javë, ndërsa nga ana tjetër Lioni është në vendin e 9 me 8 pikë.