Ngjarja e rëndë e ndodhur tre ditë më parë në Porto Palermo të Himarës, ku pronari i një lokali ushtroi dhunë ndaj 5 turistëve spanjollë ka shkaktuar reagime të ashpra në mbarë opinionin publik.
Lidhur me këtë incident aspak të këndshëm dhe të pazakontë, ka reaguar edhe ish-drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare.
Përmes një statusi në "Facebook", Tare shkruan se sektori i turizmit në Shqipëri është jo vetëm në një situatë qesharake, por edhe të rrezikshme.
Sipas tij, problemi i vërtetë nuk është Mihal Kokëdhima, por qindra "Mihalët" e tjerë që kanë zaptuar me forcë plazhet shqiptare dhe e mbajnë peng këtë të mirë publike e cila garantohet me ligj dhe arroganca e tyre e jashtëzakonshme.
Kujtojmë që ditën e djeshme u publikua në media edhe pamjet e rënda nga incidenti mes pronarit të lokalit "Panorama", Mihal Kokëdhima dhe turistëve spanjollë që ndodheshin në makinë.
Postimi i plotë:
U desh Mihali për të na treguar se në çfarë situate është realisht industria jonë turistike. Jo vetëm në një situatë qesharake, por edhe të rrezikshme. Nuk është problemi i Mihalit të Qeparoit, por te qindra “Mihalëve” që operojnë pa asnjë kualifikim, praktikë, mësim apo eksperiencë në industrinë e turizmit. Askush nuk e kupton që industria e turizmit ka të bëjë me një aspekt shumë të rëndësishëm: marrëdhënien me publikun. Me çfarë trajnimi apo licence operonte Mihali në një prej vendeve më të bukura të Shqipërisë? Po “mihalet” e tjerë? Me qindra “mihale” kanë zaptuar plazhet me forcë dhe pa asnjë standart apo kriter mbajnë peng një të mirë publike e cila garantohet me Ligj. Jo vetëm kjo, por arroganca e këtyre “pronareve” të plazheve është e jashtëzakonshme. Ishulli i Ksamilit, përshembull, mbahet me forcë nga një tjetër “Mihal” i cili para ca kohesh kishte bërë për spital një guide turistike pasi kishte kërkuar fatur për shezlonget në ishullin e Ksamilit. Problemi nuk është i të fortit të ishullit të Ksamilit, por problemi është që ishulli i Ksamilit është zonë e mbrojtur. Mbrohet me ligj dhe me një Agjenci Shteterore që quhet agjencia e zonave të mbrojtura që ka për detyrë të mbrojë këto zona. Çfarë ndodh? “Mihali i Ksamilit” kërcënon këdo që i përmend se ishulli i Ksamilit është pronë publike dhe nuk mund të shfrytëzohet nga askush. Prandaj “Mihalët” jo vetëm do rrahin dhe do kërcënojnë këdo që nuk i paguan peshkun e lokalit apo shezlongun e plazhit deri sa askush të mos mbajë përgjegjësi për këtë kaos të frikshëm. Deri sa asnjë kryetar bashkie nuk është penalizuar për mbylljen e syve ndaj “Mihalëve” të plazheve tona, Mihali i Qeparoit do vazhdojë të rrahë edhe turistë të tjerë pa i hyrë gjemb në këmbë. Siç thonë “çudia më e madhe zgjat tre ditë dhe harrohet”, paratë e plazheve ndahen çdo sezon me ata që mbyllin sytë.
***
Për t’u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI JOQ ALBANIA: https://m.facebook.com/groups/komunitetiJOQ/