Ardhja e Romelu Lukakut te Interi ka shtuar ndjeshëm entuziasmin në kampin zikaltër. Tani tifozët shpresojnë te fitimi i titullit dhe interesimi për ekipin gjatë këtyre ditëve të fundit është rritur akoma më shumë. Ditën e djeshme, një episod interesant ka ndodhur në ambientet ku Interi kryen stërvitjen.
Një numër i madh tifozësh ka qenë prezent, duke bërë thuajse të pamundur largimin e futbollistëve me makinat e tyre, pasi tifozët rreshtoheshin rrotull automjeteve. Interesimi maksimal ishte kryesitsht për Lukakun dhe tifozët dëshironin foto apo autografe të tij ndaj situata doli jashtë kontrollit.
Për të bërë të mundur që Lukaku, por edhe futbollistët e tjerë të largoheshin normalisht nga qendra stërvitore, u desh prania e policisë dhe në orën 20:00 një patrullë bëri të mundur që të liroheshin dyert e qendrës nga tifozët e zjarrtë.