JOQ Albania
Home

Emergjencë Demografike/ Shqipëria po tkurret, bie ndjeshëm numri i lindjeve
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 14/08/2019 19:44

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Rënia e ndjeshme e numrit të lindjeve dhe tkurrja e popullsisë është një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet Shqipëria vitet e fundit.

Studiuesit vlerësojnë se vendi është në një emergjencë demografike, që kërkon hartimin e politikave për të frenuar migrimin, reduktuar varfërinë dhe rritur lindshmërinë.

Sipas të dhënave të sapopublikuara nga Instituti i Statistikave, numri i lindjeve në Shqipëri për tremujorin e dytë të vitit 2019  ishte 6362, duke shënuar një rënie prej 5,7%, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018.

Ulje të konsiderueshme të numrit të lindjeve ka shënuar edhe 3 mujori i dytë i vitit 2019, me një renie prej 5,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë gjatë vitit të kaluar.

Qarku i Gjirokastrës vijoi të regjistrojë numrin më të ulët të lindjeve me një rënie 10% krahasur me një vit më parë ndërsa nëntë nga 12 qarqet e Shqipërisë regjistruan rënie të lindjeve në tremujorin e dytë 2019.

Emigracioni dhe nivelet e larta të varfërisë në shumë zona shihen ndër faktorët kryesorë që po ndikojnë në rënien e lindjeve dhe uljen e shtesës natyrore të popullsisë, raporton "Zëri i Amerikës".

Vitet e fundit është rritur edhe numri i shqiptarëve që po u drejtohen vendeve të Bashkimit Europian për marrjen e shtetësisë duke humbur lidhjet me vendin amë. Sipas të dhënave të EUROSTAT, publikuar pak ditë më pare, përfituesit shqiptarë përbënin rreth 8% të rreth 825. 000 personave që kanë fituar shtetësinë e një shteti anëtar në Bashkimin Europian gjatë vitit 2017.

Sipas EUROSTAT 58,853 qytetarë shqiptarë morën shtetësinë e një vendi të BE-së me rreth 68 mijë pasaporta. Greqia dhe Italia janë dy shtetet fqinje me Shqipërinë që kanë dhënë më shumë pasaporta për shqiptarët (97% të totalit) vlerësohej nga të dhënat e EUROSTAT.

Shqiptarët në Greqi po e përdorin nënshtetesinë greke për të emigruar drejt vendeve të tjera të Bashkimit Europian apo për të përfituar ndjekjen e arsimimit të fëmijëve në universitetet europiane ku tarifat janë më të ulta për shtetasit nga vendet anëtare. Rritja e përfitimit të nënshtetësisë ka vijuar të rrisë emigrimin e shqiptarëve i cili po ndihet sidomos në zonat ndërkufitare shqiptare të cilat janë braktisur në masë të madhe nga banorët.

***

Për t’u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI JOQ ALBANIA: https://m.facebook.com/groups/komunitetiJOQ/