JOQ Albania
Home

Mijëra shqiptarë humbën jetën në Kosovë, pse nuk ngrihet një memorial për ta në Tiranë?
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 12/08/2019 21:12

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Vendosja e memorialit përkujtimor në Parkun e Liqenit në Tiranë, në nder të personave që humbën jetën 3 vite më parë gjatë grushtit të dështuar të shtetit në Turqi, është kthyer në çështjen më të diskutuar këto ditët e fundit.

Figura të njohura të politikës shqiptare, por jo vetëm, e kanë cilësuar si absurde vendosjen e një memoriali që ka lidhje me çështjen e brendshme politike të Turqisë.

Së fundmi lidhur me këtë çështje të shumëpërfolur ka reaguar edhe prokurori shqiptaro-amerikan, Gjon Juncaj. Ai parashtroi dy propozime për memoriale në Parkun  e Liqenit në Tiranë.

Sipas tij, një memorial përkujtimor duhet ngritur në nder të mijëra shqiptarëve që kanë humbur jetën në Kosovë, duke nënvizuar se kosovarët që vizitojnë Shqipërinë do ta vlerësonin këtë shenjë respekti. Më tej, prokurori propozon edhe ngritjen e një memoriali për 74 shqiptarë që u morën nga shtëpitë e tyre në Hot, dhe iu mor jeta nga ushtria e Serbisë dhe Malit të Zi, duke u shprehur se një prej viktimave ka qenë stërgjyshi i tij.

Prokurori Gjoncaj njihet si një nga personat që ka ndidhmuar në realizimin e reformës në drejtësi.

Reagimi i plotë:

Të dashur politikanë në Tiranë. Kam dy memoriale për të shtuar tek parku për njerëzit që kanë humbur jetën jashtë Shqipërisë:
1.Në vitet 1998-1999, mijëra shqiptarë, burra, gra e fëmijë, humbën jetën në Kosovë. Emrat e tyre nuk janë të listuar në parkun publik në Tiranë. Jam i sigurt se mijëra kosovarë që vizitojnë Shqipërinë çdo vit, do e vlerësonin këtë shenjë respekti.
2.Në vitin 1919, 74 shqiptarë u morën nga shtëpitë e tyre në male në Hot dhe iu mor jeta së bashku nga ushtria e Mbretërisë së Serbisë dhe Malit të Zi. Trupat e tyre u hodhën së bashku në një varr masiv ku mbeten edhe sot e kësaj dite, 100 vjet më vonë. Një prej tyre është stërgjyshi im. Unë dhe të tjerë anëtarë të familjeve të tyre do donim t’i shihnim emrat e tyre në park.
Do i donim këto memoriale në parkun e Tiranës sepse nuk besojmë se ata i përkasin ndonjë parku në Stamboll. (Turqit do ishin dakord me ne për këtë). Ne nuk kemi lekë, euro, lira turke apo ndikim politik për të paguar për to. Kemi vetëm gja.kun e derdhur shqiptar. Ne shpresojmë se kjo monedhë do pranohet.

***

Për t’u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI JOQ ALBANIA: https://m.facebook.com/groups/komunitetiJOQ/