JOQ Albania
Home

“Shqipëria ka marrë pozicion politik për një çështje të brendshme të Turqisë”
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 11/08/2019 21:09

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Vendosja e memorialit përkujtimor në Parkun e Liqenit në Tiranë, në nder të personave që humbën jetë në përpjekjen e grushtit të shtetit në Turqi, me vendim të Bashkisë Tiranë, ka shkaktuar mjaft kritika  të ashpra në opinionin publik.

Së fundmi, këtë çështje e ka komentuar edhe akademiku i njohur, Artan Fuga.

Përmes një postimi në "Facebook", Fuga thotë se emërtimi i një parku në Stamboll me emrin e dëshmorit Adem Jasahari, nuk mund të konsiderohet me vendosjen e memorialit.

Ai arsyeton se nuk mund tëkrahasohen dy simbolika që nuk kanë lidhje mes tyre.

Sipas Fugës, vendosja e memorialit në kryeqytet ka bërë që Shqipëria të marrë pozicion politik për një çështje politike të brendshme të Turqisë.

Reagimi i plotë:

Te mos krahasojmë simbolika pa asnjë lidhje mes tyre! Unë nuk kam asgjë me Turqinë, madje e respektoj fort sikurse respektoj çdo vend dhe çdo popull, nga më i madhi te më i vogli. Unë nuk kam asgjë kundër që të respektohet ligji në cdo vend të botës dhe të respektohen njerëz që janë sakrifikuar për idealet e tyre që i kanë quajtur të lirisë! Unë nuk kam ndonjë koment për të bërë as për pushtetin e z. Taip Erdogan sepse nuk kam bërë ndonjë studim për të. As për marrëdhënien e tij me sektin sufist! Unë nuk kam dëshirë as të flas për pllakat që vihen te liqeni a kudo qoftë edhe për të rënet në Turqi për të mbrojtur rendin e pushtetin! Por unë di me saktësi që midis nderimit të dëshmorit Adem Jashari me emrin e një parku në Turqi dhe pllakës përkujtimore për të rënet në rrezistencë ndaj grushtit të shtetit në Turqi, nuk ka asnjë paralele që mund të hiqet. Cdo paralele midis tyre është një keqkuptim historik në mos një manipulim propagandistik! Le të heqim dorë nga këto! Adem Jashari është i lidhur me një sakrificë për një çështje kombëtare kurse pllakati për dëshmorët kundër grushtit të shtetit me një çështje politike! Simbolika e Adem Jasharit nuk përkëdhel asnjë njeri në pushtet ose me pushtet as në Kosovë dhe as në Shqipëri, kurse përkujtimi i dëshmorëve turq në një pllakatë përkujton dhe është në një vijë politike me një pushtet të caktuar aktual në Turqi. Simbolika e Adem Jasharit është konsensuale dhe plebishitare në mes shqiptarëve, ajo figurë është e nderuar edhe nga aleatët dhe partnerët strategjikë perëndimorë të Shqipërisë, kurse cështja e grushtit të shtetit është objekt debatesh dhe kundërshtish në Turqi, Perëndim dhe Shtetet e Bashkuara, pra shenjon marrje pozicioni politik për një çështje të brendshme të Turqisë këtij vendi mik. Përse jo është në atë kohë edhe një diskordancë mes shumë vendesh perëndimore dhe shtetit të Turqisë! Shqipëria merr pozicion politik për një çështje politike të brendshme në shtetin mik turk! Ja pra dallimet që nuk mund të mbulohen me një krahasim gjeopolitik e politik të sipërfaqshëm e kështu më këmbë! Pllakat t’i vemë po deshi Bashkia, por mendjen mos të na e turbullojë, i kam rixha! Gjithsesi lavdi Adem Jasharit dhe të gjithë të rënëve për Kosovën, nderim për të rënët dhe viktimat në Turqi e kudo, nderim për të gjithë ata që kanë humbur jetën nga cdo anë e barrikadës që janë ndodhur si viktima!

***

Për t’u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI JOQ ALBANIA: https://m.facebook.com/groups/komunitetiJOQ/