Një qytetar pretendon se është gjobitur pa të drejtë nga policia rrugore. Ai ka treguar për JOQ Albania të gjithë situatën. Ngjarja është regjistruar në rrethrrotullimin e Malit të Robit, në rrugën dytësore që të çon për në Kavajë.
Qytetari ka parakaluar në zonën e rrugës me vija të ndërprera një makinë policie, e cila po ecte me shpejtësi të ulët. Rreth 1 km më pas ai është ndaluar nga patrulla e policisë. Atij i është vendosur një gjobë nga efektivi me iniciale Gj.K, për parakalim të gabuar, gjë për të cilën qytetari pretendon se është e pavërtetë.
Pas vendosjes së gjobës dhe heqjes së lejes së drejtimit, polici i afrohet dhe i thotë se ka ndryshuar strukturën e mjetit. Kjo gjë rezultoi e pavërtetë, pasi polici bëri verifikimet e nevojshme. Duke qenë se e kishte shkruar në fletën e gjobës nuk kishte sesi e ndryshonte. Më pas efektivi i ka kthyer lejen e qarkullimit, ndërsa patentën ia ka mbajtur.
Sipas denoncuesit, polici i cili ishte shoqëruar nga dy kolegët e tij, i ka thënë se është 24 orë pa gjumë dhe se duhet të firmosë fletën e gjobës për të mirën e tij. Qytetari gjithashtu ka bërë ankesën në SHÇBA, pasi sipas tij asnjë nga nenet për të cilat është gjobitur, nuk parashikon heqjen e lejes së drejtimit.
Mesazhi për JOQ Albania