Kaosi që solli Arta Marku, gjysma e prokurorëve “tranzitorë”

Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 20.04.2019, 22:22

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se caktimet e përkohshme të kryera nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku dhe më pas KLP, kanë përfshirë 16% e trupës së prokurorëve dhe mbi 47% e drejtuesve; fenomen ky që ngre shqetësime për tejkalim të ligjit dhe cënimin e sigurisë juridike të magjistratëve.

Më 22 shkurt 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të ndërpriste caktimin e përkohshëm të prokurorit Ardian Nezha në Tiranë dhe rikthimin e tij në Prokurorinë e Pukës. Shkak u bë një kërkesë e prokurores së vetme të mbetur në Pukë, së cilës i duhej të përballej edhe me çështje penale kundër kushërinjve të saj.

Vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë u prit me pakënaqësi nga prokurori Ardian Nezha, i cili dorëzoi menjëherë dorëheqjen nga detyra e prokurorit.

Prokurori Nezha deklaroi:

E kam të pamundur për arsye familjare të shkoj sërish në Pukë dhe e quaj mosvlerësim këtë transferim të dytë”.

Pas 11 viteve punë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ish-prokurori Nezha u përfshi në transferime të njëpasnjëshme. Në vitin 2015, ai u emërua në Pukë nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, ndërsa me ardhjen e Arta Markut të krye të Prokurorisë, Nezha u komandua drejtues i Prokurorisë së Elbasanit. Qëndrimi i tij në Elbasan zgjati vetëm disa javë dhe pas paraqitjes së dorëheqjes, ai u caktua përkohësisht në Prokurorinë e Tiranës.

Nezha nuk ishte i vetmi prokuror “tranzitor” në Shqipëri. Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se thuajse gjysma e drejtuesve të Prokurorive në shkallë vendi dhe rreth 16 për qind e trupës së prokurorëve e kryejnë detyrën e tyre në kushtet e e caktimit të përkohshëm apo të komandimit-akte këto që në shumicën e tyre e kanë tejkaluar afatin ligjor të përcaktuar nga ligji.

Sipas të dhënave të siguruara nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, 18 nga 38 drejtuesit e prokurorive në Shqipëri janë të komanduar përgjatë viteve 2017-2019. Por shefat e Prokurorive janë vetëm një pjesë e listës prej 49 prokurorësh, që e kryejnë detyrën e tyre larg vendit të emërimit.

Numri i prokurorëve të komanduar zë rreth 16% të trupës së prokurorëve në vend. Ndërkohë, 38 prej tyre rezultojnë se gjenden në postet aktuale në tejkalim të afateve ligjore të përcaktuara në ligjin 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

BIRN i drejtoi pyetje Prokurorisë së Përgjithshme dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për tejkalimin e afateve ligjore të komandimeve dhe se cila ishte zgjidhja për këtë situatë kaotike të krijuar në Prokurori. Deri në botimin e shkrimit, as Prokuroria e Përgjithshme dhe as Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk kthyen përgjigje.

Prokurorët “tranzitorë”

Praktika e komandimeve të shpeshta dhe të pamotivuara të prokurorëve ishte një ndër kritikat që iu adresua ish-kreut të Prokurorisë së Përgjithshme, Adriatik Llalla. Gjatë mandatit të tij, një numër i konsiderueshëm drejtuesish e kryenin funksionin në kushtet e komandimit.

Situata u rëndua me hyrjen në fuqi të legjislacionit të reformës në drejtësi, e cila linte në duart e kryeprokurorit vetëm të drejtën për caktime të përkohshme, në kuadër të mbarëvajtjes së punës.

Me ngjitjen e Arta Markut në krye të Prokurorisë në dhjetor 2017, një valë e re komandimesh e përfshiu sistemin e prokurorisë. Kjo situatë shtyu trupën gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të kryente verifikime gjatë hetimit administrativ për Arta Markun.

Edhe pse konstatoi se këto lëvizje ishin të ligjshme, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti në përfundimin se kryeprokurorja e përkohshme kishte dështuar të aplikonte një metodologji për riorganizimin e Prokurorisë.

Relatorja e vetingut të Markut në KPK tha:

Që nga riorganizmi i nisur në Janar 2018 nuk është bërë asnjë hap për të miratuar një procedurë” .

Thuajse një vit më pas, çështja e komandimeve është rikthyer disa herë për diskutim në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, pa gjetur ende një zgjidhje.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se nga 49 komandimet që janë aktualisht në fuqi, 38 janë firmosur nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku dhe 11 të tjera nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se 18 drejtues të prokurorive të shkallës së parë apo të Apelit nga 38 gjithsej e ushtrojnë funksionin e tyre me caktime të përkohshme.

Pavarësisht se ligji “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” përcakton si afat maksimal për caktimet e përkohshme afatin 3-mujor, dhjetë komandime vazhdojnë që nga 2017 ndërsa 28 të tjera kanë ndodhur gjatë vitit 2018.

Gjithashtu, rezulton se në prag të konstituimit të KLP-së, në nëntor 2018 dhe në ditët e para të dhjetorit, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku ka firmosur 13 caktime të përkohshme pa afat.

Mes listës së siguruar nga KLP, Prokuroria e Tiranës rezulton më e prekura nga komandimet. Përgjatë periudhës dhjetor 2017-mars 2019, katër prokurorë të Tiranës janë transferuar në rrethe dhe 10 prokurorë të tjerë janë sjellë në Tiranë.

Debati për afatet

Këshilli i Lartë i Prokurorisë i është referuar nenit 59, pika 1 të ligjit 96/2016 “Për statusin…” për komandimet e kryera prej saj; kryesisht për të zëvendësuar prokurorët e larguar nga procesi i vetingut.

Por Prokuroria e Përgjithshme duket se ka ndjekur një praktikë tjetër.

Një kërkesë për informacion e BIRN drejtuar Prokurorisë së Përgjithme në lidhje me afatet e caktimit të përkohshëm të prokurorëve mbeti pa përgjigje. Ndërsa Këshilli i Lartë i Prokurorisë sqaroi se 38 caktimet e përkohshme-të cilave u ka kaluar afati i parashikuar në nenin 59, pika 1, ishin bërë pa përcaktuar një afat kohor.

Sqarimi i KLP-së:

Për sa kohë nuk ishte krijuar KLP, caktimet e përkohshme ishin kompetencë e Prokurorit të Përgjithshëm, i cili bazuar në dispozitat kalimtare të Ligjit 96/2016 ” Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, neni 160, pika 4, mund të caktonte përkohësisht në pozicion një prokuror pa afat”.

Një interpretim i tillë është hedhur poshtë nga Gjykata Administrative e Tiranës, në padinë e ngritur nga prokurori Olsi Çela kundër vendimit të kryeprokurores Arta Marku për ta caktuar atë përkohësisht në Berat.

Në vendimin nr.80, datë 26 dhjetor 2018, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë argumenton se caktimi i përkohshëm duhej të bazohej në nenin 59 të ligjit 96/2016, ku përcaktohet afati 3-mujor i caktimit të përkohëshëm.

Komandimet pa afat, sipas këtij vendimi krijojnë për magjistratët pasiguri juridike dhe se mund të perceptohet prej tyre si masë disiplinore.

Gjykata Administrative argumenton:

Gjykata analizon se urdhri për caktimin e përkohshëm të prokurorit duhet të arsyetohej në bazë të nenit 59 të ligjit 96/2016. Mbi të gjitha në këtë akt duhet të ishte përcaktuar afati i caktimit të përkohshëm i prokurorit Olsian Cela si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat” .

Mungesa e afatit të përcaktuar në këtë urdhër e ka vënë paditësin në pozitat e një pasigurie juridike dhe e ka shtyrë atë drejt konsideratës se ky urdhër është në thelb një masë disiplinore ndaj tij, shtohet në vendim, duke përcaktuar se afati i pozicionit të përkohshëm është jo më shumë se tre muaj.

PERSONAZHI I VITIT 2021
KLIKO PËR TË VOTUAR
  • Elvis Naçi
    Drejtuesi i Fondacionit "Firdeus", i njohur si mirëbërësi i shqiptarëve të varfër me punën e tij të palodhshme. Banesat që po ndërtohen për të prekurit nga tërmeti, nga fondacioni i tij janë drejt fundit.
    Arjan Sala
    Heroi i Heshtur! Security i një qendre tregtare, i cili dha jetën mes flakëve për të shpëtuar punonjësit që ishin bllokuar nga zjarri në magazinë.
    Edi Rama
    Kryeministri unik, që shpiku skemën e patronazhistëve duke përgjuar shqiptarët dhe pavarësisht kësaj ata i dhanë edhe mandatin e tretë.
    Lulzim Basha
    Kreu i PD-së, rekordmen për qëndrimin në opozitë dhe guximtar për ‘vrasjen’ e babit të tij politik, Sali Berisha.
    Sali Berisha
    Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe ish-kreu i PD-së, i cili, pavrësisht se u shpall “Non-grata” nga SHBA dhe u përjashtua nga PD, arriti të mblidhte Kuvendin Kombëtar të partisë që themeloi dhe e rithemeloi me një pjesëmarrje masive.
    Marin Mema
    Gazetari, i cili u angazhua në rindërtimin e banesave të rrënuara nga tërmeti dhe arriti të dorëzonte brenda disa muajsh çelsat tek qytetarët.
    Altin Goxhaj
    Avokati i njohur në Shqipëri, i cili ngre gjithnjë zërin publikisht ndaj shkeljes të së drejtave të qytetarëve të thjeshtë nga shteti.
    Klodian Elqeni
    I riu, i cili shkelmoi shoferin e çmendur që hyri me makinë në sheshin Skënderbej duke i rrezikuar jetën qytetarëve. Ai fluturoi mbi dritaren e makinës duke neutralizuar agresorin.
    Armando Broja
    Futbollisti i Kombëtares Shqiptare që po shkëlqen në kampionatin anglez. Performancë fantastike edhe me Kombëtaren shqiptare.
    Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova
    Dy xhudistet nga Kosova që fituan medalje të artë në Lojërat Olimpike në Tokyo.
    Albin Kurti
    Kryeministri i Republikës së Kosovës, i cili fitoi zgjedhjet sërish dhe arriti të krijojë qeverinë e re në Kosovë.
    Lylzim Sulejmani
    Shqiptari nga Presheva, i cili arriti të shpëtonte 7 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut nga autobusi, që shpërtheu në flakë në Bullgari.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit