JOQ Albania
Home

Lidhin mikrofonët me zinxhirë, gazetarët para Prokurorisë: Të shkarkohet menjëherë truproja e Markut
Shkruar nga: E Gjoni | Publikuar më: 14/04/2019 16:37

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Protesta e gazetarëve u paralajmërua para disa ditësh, pasi rojet e sigurisë së Prokurores Arta Marku ushtruan dhunë fizike ndaj gazetarit Renaldo Salianji, i cili ishte në krye të detyrës.

Një status në rrjetet sociale është shpërndarë nga shumë gazetarë, ku kanë organizuar edhe protestën e cila ka pak minuta që ka nisur para Prokurorisë së Përgjithshme. Gazetarët kanë kërkuar që Prokurorja Marku t’u kërkojë falje publike gazetarëve dhe menjëherë të shkarkohet menjëherë truproja që vuri dorë mbi gazetarin.

Me pankarta në duar dhe me mikrofonë të lidhur me zinxhirë në formë simbolike, protestojnë kundër intimidimit, kërcënimit dhe dhunës ndaj gazetarëve. Po ashtu në pankarta shkruhet: “Gazetarët nuk janë zëdhënës”, “Heshtja nuk blihet, fjala nuk shitet”, etj.

Statusi i gazetarëve në rrjetin social Facebook:

GAZETARËT NË PROTESTË
Ditën e premte (12.04) rojet e sigurisë së Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku, ushtruan dhunë fizike ndaj gazetarit Renaldo Salianji, gjatë kohës që po kryente detyrën e tij.
Pak ditë më parë, Kryetari i Bashkisë së Pukës kërcënoi me “varje” gazetarin e emisionit Investigativ “Fiks Fare”, teksa ky i fundit kryente detyrën.
Forcat e policisë penguan gazetaren Dorjana Bezat teksa raportonte live për shembjen e banesave tek “Bregu i Lumit”.
Dhuna policore qëlloi mbi gazetarin Erion Skëndaj gjatë raportimin të protestës së opozitës.
Komuniteti i gazetarëve dënon keto akte të rënda dhe të papranueshme të ndodhura vetëm së fundmi me punonjësit e medias. Këto veprime cënojnë jo vetëm integritetin fizik të gazetarëve, por edhe lirinë e medias.
Sot, gazetarët në Shqipëri po përballen me sulme fizike nga zyrtarë dhe njerëz të pushtetit, sikundër edhe me arrogancën institucionale, që shkel rëndë misionin e medias.
Si reagim i fortë ndaj dhunës që kërcënon gazetarët, heshtjes së institucuoneve përgjegjese për të dënuar këto akte,
kemi vendosur që ditën e Dielë ora 16:00-17:00 para Prokurorisë së Përgjithshme të protestojmë.
Ne kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të Truprojës së Arta Markut dhe që Prokuroria e Përgjithshme të kërkojë falje për aktin e kryer.
Ne kërkojmë zbatimin e ligjit për kryetarin e Bashkisë së Pukës.
Ne kërkojmë të na lini të kryejmë detyrën tonë!
Ne protestojmë për çdo akt që cënon lirinë e medias dhe gazetarit!
Lajmësi është i shenjtë!"