JOQ Albania
Home

Nuk shkoi për 14 muaj në punë, kryebashkiaku i Ramës merr rrogë të plotë
Shkruar nga: L Çela | Publikuar më: 14/03/2019 21:24

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Edmond Themelko, nuk është paraqitur në punë për 14 muaj rresht. Por pavarësisht mungesave të tij, ai është paguar rregullisht, duke marrë 13 milion lekë nga fondet publike.

Aktualisht ai është i arrestuar në Maqedoni për parregullsi në procesin zgjedhor dhe për 14 muaj karrigia e tij ka qenë bosh. Megjithatë askush nuk e ka marrë mundimin që ta zëvendësojë atë.

Kamerat e Fiks Fare shkuan në këtë bsashki, e cila është 30 km larg Korçës, por aty gjetën vetëm 3 punonjës. Ndërkohë, nënkryetari i Bashkisë u tha se kryetari ishte me raport. Ky i fundit i kishte deleguar punën nënkryetarit, i cili tha se nuk mbante mend për shkresat që kishte firmosur.

Përsa i përket pagesave ai tha se janë kryer rregullisht dhe kryetari ka paraqitur raport. Versioni i tij është hedhur poshtë nga inspektorja e pagës në bashki, Nevina Argjiri.

Kjo e fundit tha se kryetari është apguar rregullisht dhe ka marrë 86 mijë lekë muaj për muaj. Ndërkohë punonjës të Degës së Thesarit Korçë, u përgjigjën se borderotë dorëzohen në bashki, pasi likuidohen dhe më pas dërgohen në bankë.

Gjithashtu mungesat duhet të njoftohen në Prefekturë, por sekretarja e këtij institucioni tha se duhet të kontrollohen arkivat. Sipas ligjit shqiptar, në rast të dorëzimit të një raporti, paguhet 70%-80% të mesatares ditore të bazës së vlerësuar të vitit të fundit kalendarik. Raporti mjekësor ndërkohë paguhet deri në 6 muaj nga Sigurimet Shoqërore. Kjo tregon se në rastin e Themelkos, kemi kundërshtim të plotë me ligjin.