JOQ Albania
Home

Shpallet “non-grata” gazetari britanik që UÇK-në e quajti organizatë terroriste
Shkruar nga: A Gashi | Publikuar më: 11/03/2019 20:22

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Gazetari britanik Graham Phillips që nga Prishtina quajti UÇK-në organizatë terroriste, pritet të shpallën person “non-grata” nga shteti i Kosovës.

Mediat kanë mësuar se Ministria e Punëve të Brendshme është duke e përgatitur, mbi bazën ligjore, vendimin për ta shpallur Phillipsin të padëshirueshëm brenda territorit kosovar.

Vendimi në fjalë tashmë është i gatshëm dhe pritet që nesër më së largu të nënshkruhet nga ministri i brendshëm Ekrem Mustafa.

Sipas këtij vendimi, një pjesë të të cilit e kanë publikuar mediat, gazetari britanik të paktën 10 vite nuk do t’i lejohet hyrja në Kosovë.

Në vijim të këtij dokumenti thuhet se MPB-ja e arsyeton vendimin e saj duke pohuar se Phillipsi shpallet i padëshiruar në Kosovë pasi i njëjti është shfaqur duke përhapur propagandë kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe ka cenuar sigurinë dhe rendin publik me materialet e tij.

Gazetari nga Britania e Madhe, para pak ditësh, në rrjete sociale shpërndau disa materiale propagandistike kundër shtetit të Kosovë.

Në një nga këto video, të xhiruara në Kosovë, Graham Phillips e quan UCK-në organizatë terroriste, dhe thotë se ai turpërohet se si vendi i tij i origjinës e ka përkrahur çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.