JOQ Albania
Home

Studentët e Juridikut kërkesë dekanit: Shtyni sezonin akademik
Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 10/02/2019 13:18

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Ditën e nesërme pritet që studentët t’i kthehen auditorëve, pas 2 muajve protestë kundër ligjit për arsimin e lartë dhe ku kërkonin plotësimin e disa kërkesave të tyre, mes tyre përgjysmimi i tarifës së shkollimit, kushte më të mira në konvikte, karta e studentit etj.

Por sot studentët e Fakultetit të Drejtësisë i kanë drejtuar një kërkesë dekanit Artan Hoxha, ku parashtrojnë 6 pika që pasqyrojnë problematikat e tyre.

Ata kanë kërkuar së pari shtyrjen e sezonit akademik në përputhje me orët e humbura si dhe zëvendësimin e këtyre orëve, si dhe shtyrje të afatit për dorëzimin e dokumenteve për bursë dhe për përgjysmimin e tarifave.

Një nga pikat ka të bëjë dhe me mospenalizimin e studentëve protestues. Po kështu ata kanë kërkuar që dekani të përcjellë në institucionin përkatës kërkesën për shfuqizimin e nenit 82 në ligjin për arsimin e lartë.

LETRA E STUDENTËVE

Kërkesë drejtuar dekanit Z.Artan Hoxha
Ne studentët e Fakultetit të Drejtësisë kërkojmë:
Shtyrje të sezonit akademik në përputhje me orët e humbura.
Zëvendësimin e të gjitha orëve mësimore të humbura për shkak të protestës studentore.
Shtyrje e afatit për dorëzimin e dokumentacionit për përfitimin e bursave studentore dhe për përgjysmimin e tarifave sipas VKM-ve.
Mospenalizimin e studentëve protestues (me mungesa, etj.)
Të adresoni në institucionin përkatës kërkesën për shfuqizimin e nenit 82 të “Ligjit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor”, nr. 80/2015.
Ofrimin e praktikave për studentët e Fakultetit të Drejtësisë (në gjykata, burgje, parlament, etj) si dhe organizimin e gjyqeve simuluese brenda fakultetit mes studentëve.
Afati për kthimin e përgjigjes: 12/02/2019.
Mënyra e kthimit të përgjigjes: Me shkresë zyrtare."