Çështja 'Babale' trazoi jo pak ujrat e politikës shqiptare dhe u kthye në burim akuzash e kundërakuzash ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur ta pezullojë çështjen në të cilën Agron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, akuzohej për përfshirje në pazare droge.
Organi i akuzës e ka kthyer edhe njëherë dosjen në polici për veprime të mëtejshme. Personazhi kryesor i kësaj dosjeje, Albert Veliu, aktualisht ndodhet në Hungari, pas arratisjej nga kampi i azilit në Kosovë. Autoritetet shqiptare kanë bërë thirrje për ekstradimin e tij dhe Hungaria do të vendosë brenda muajit.
Kujtojmë këtu se materiali i regjistruar nga gazetari Jetmir Olldashi u publikua nga selia e Partisë Demokratike. Më pas organi i akuzës nisi hetimet dhe për mungesë provash prokurori Përparim Kulluri ka kthyer dosjen përsëri në polici. Ndërkohë Krimet e Rënda, pak më herët zbuluan se zëri i Agron Xhafajt në audiopërgjim ishte bërë nga Fredi Alizoti. Organi i akuzës doli në këtë konkluzion, pas përgjigjes së ekspertizës të ardhur nga një laborator anglez.
Aktualisht Alizoti, Veliu dhe Olldashi po hetohen nga Prokuroria për kallëzim të rremë.