Braziliani që përjetoi makthin në Shqipëri: Jetoja në fëlliqësirë, ja si u arratisa

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 07.12.2018, 20:54

Vitet e fundit shumë futbolllistë të huaj po vijnë të luajnë futboll në kampionatin shqiptar.

Me shpresën se futbolli ynë do u shërbejë si një trampolinë e mirë në karrierën e tyre, ata firmosin kontratat pa u menduar dy herë.

Megjithatë kur fillojnë të jetojnë këtu, kuptojnë se nuk gjejnë as gjysëm e atyre që u ishte premtuar.

Rasti flagrant është 25 vjeçari, Jean Rodrigo Lacerda Ferreira, i njohur si Jean, i cili firmosi për 750 dollarë në muaj te Tomori i Beratit që nuk i mori kurrë.

Ai u detyrua të banonte në një shtëpi thuajse të rrënuar me kushte skandaloze dhe u arratis me kuptimin e plotë të fjalës nga Shqipëria.

Ja intervista e tij për Telesportin:

Jean, si erdhët në Shqipëri? Një person në Brazil kishte biseduar me dy shqiptarë, që kërkonin lojtarë në Brazil. Më bëri ofertën dhe pranova, ishte një aventurë e re, kisha shpresa të mëdha, edhe pse bëhej fjalë për kategorinë e dytë dhe e prisja që të mos gjeja ndonjë luks. Mbërrita në Berat më 6 gusht. Ishte vonë, rreth 5-6 e pasdites dhe pavarësisht lodhjes, dola në stërvitje. Nuk u stërvita gjatë, sepse trajneri e dinte që kisha bërë një udhëtim të gjatë e të lodhshëm dhe që unë kisha pranuar të dilja në stërvitje. Në 8 apo 9 gusht firmosa një kontratë për 1 vit.

A e keni kontratën? Kërkova një kopje të kontratës, por drejtuesit më thanë që kopja do të më jepej vetëm pasi dokumentet e federimit të vinin nga Federata Shqiptare e Futbollit. Megjithatë, nuk ma dhanë kurrë një kopje të kontratës. Me premtuan 750 dollarë mujorë, që nuk i mora kurrë, pa ditur as hallet e tjera dhe shpenzimet në ngarkimin tim.

Si ishte situata me pagat? Në 10-11 shtator u shpërndanë pagat e para dhe më paguan vetëm 7 ditë pune. U justifikuan duke thënë se dokumentacioni im kishte qenë me probleme dhe se kontrata hyri në fuqi vetëm në datën 23 gusht, ndaj më takonin vetëm 7 ditë pagë.

Po më pas, gjithçka në rregull? Muajin pasardhës ndodhi diçka tjetër: unë dhe disa lojtarë u njoftuam se do të na mbahej 30% e pagës, ndërsa disa lojtarëve u mbajtën 50% të pagës mujore. Kjo sepse pretendonin se rendimenti i skuadrës nuk ishte i mirë dhe për këtë gjë na gjobitën. E gjitha kjo sepse nëse nuk gabohem ishim në vendin e pestë në renditje dhe klubi pretendonte të ishim në krye.

Fotot që na keni nisur janë skandaloze, na flisni pak për to. Kishim probleme me akomodimin, vendi ku jetonim ishte totalisht i rrënuar, në kushte skandaloze. Shumë pis, askush nuk merrej me pastrimin dhe nuk dërgonin as ndonjë pastruese të paktën një herë në javë. Nëse nuk pastronim vetë, bëhej mal me plehra. Nuk është çështje higjiene, shihni fotot për të kuptuar çfarë situate ishte! Mund të na kapte ndonjë sëmundje e rëndë. Pësova edhe një dëmtim në gju, jo ndonjë dëmtim serioz, por m’u desh të mungoja në disa seanca stërvitore.

Si e përballuat këtë situatë? Po më kapte depresioni, ishte një situatë që nuk e kisha menduar kurrë. Nuk ishte problemi vetëm tek unë, por edhe te familja ime. Jam i martuar dhe kam një djalë 1 vjeç e 4 muaj. Ata varen nga paratë që nxjerr nga puna ime, por si mund t’i mbaja me paratë që merrja në Shqipëri, kur nuk më dilnin as mua? Si mund të luaj futboll në një vend ku nuk ekzistojnë kushtet më bazike të punës, ku jetohet në atë fëlliqësirë dhe nuk më jepnin as pagën?

Çfarë bëtë, si erdhi largimi nga Berati? Me paratë që më kishin mbetur, bleva biletën dhe u nisa për në Brazil. Gabova që nuk njoftova drejtuesit, por vetëm trajnerin Devolli, të cilin e njoftova kur isha në aeroport në Tiranë. Nuk kisha më forcë mendore për të vazhduar. Veprova në emocion e sipër, por nuk pendohem për ato kushte ku jetoja e punoja. Nuk dua ç’të bëja tjetër, nuk kisha asnjeri në Berat, as përkthyes e as menaxher, nuk dija as si të shkoja në FSHF për t’u ankuar, pa llogaritur shpenzimet shtesë.

Po me drejtuesit e Tomorit, keni folur? Kontaktova shefin e Tomorit, Albanin, si dhe drejtorin e klubit, Gëzimin, por dy herë më bllokuan dhe nuk pranonin të më jepnin lejekalimin. Dua vetëm të jem i lirë, të mos kem më lidhje me Tomorin, por ata nuk pranojnë.

Pse nuk pranojnë? Më thonë që u arratisa dhe që duhet të paguaj gjobë. Duhet të paguaj për të marrë dokumentacionin, në një kohë që për sa kohë që qëndrova në Berat kisha probleme me pagesat, me jetesën, me gjithçka. Dhe klubi kërkonte shumë nga ne, pa krijuar kushtet për një skuadër të aftë të luftojë për kreun.

Na treguat kushtet e jetesës në Berat, po lojtarët e tjerë si ia bënin? Askush nuk mund të jetojë në kushte të tilla. Lojtarët që janë në Berat janë heronj dhe fitimtarë, që durojnë gjithë këtë makth, sepse kanë dy muaj pa marrë paga dhe jetojnë në ato kushte. Është çnjerëzore.

Po për t’u ushqyer, a ju ndihmonte klubi? Asgjë, absolutisht. Gjithçka e paguanim vetë, ushqimin në restorant e paguanim nga xhepi, klubi nuk merrte asgjë përsipër. Si unë, ashtu edhe lojtarët e tjerë, paguanin gjithçka nga xhepi.

Po personat që të sollën në Berat, si vepruan kur u largova? Ata nuk bënë asgjë për ta zgjidhur këtë situatë, ndoshta kanë frikë. Kanë pranuar gjithçka thanë drejtuesit e Tomorit, janë thjesht amatorë, nuk janë menaxherë.

Si ia bën për të jetuar tani që je në Brazil? Jam pa punë dhe familja ime po vuan bashkë me mua, sepse jam futbollist dhe kjo është puna e vetme që di të bëj. Jam 25 vjeç, nëse Tomori nuk më lë të lirë nuk di rrugë tjetër si të siguroj ushqimin për familjen time. Jam i dëshpëruar, ashtu si jam i hidhëruar edhe për kolegët e mi në Berat, që po vuajnë dhe nuk ndihen. Është e turpshme, drejtuesit e Tomorit nuk janë njerëz të mirë.

Me pak fjalë, Shqipëria është një kujtim shumë i hidhur për ju. Jo, nuk mund ta përkufizoj kështu. Pavarësisht nga gjithë vështirësitë, kam njohur njerëz të mirë në Berat dhe futbollistë shqiptarë që janë persona shumë të mirë, më kanë ndihmuar shumë.

A ke një mesazh për ndokënd, drejtuesit e Tomorit së pari? Dua vetëm të jem i lirë, të luaj futboll në shtëpinë time. Nëse unë jam larguar pa leje, ndodhi sepse marrëveshja mes nesh u shkel katërcipërisht nga klubi para se unë të largohesha. Tomori nuk përfiton asgjë nëse më bllokon deri në fund të sezonit të ardhshëm dhe unë nuk kam para që ta çoj nëpër gjyqe këtë çështje. Uroj që Federata Shqiptare të më japë një zgjidhje, sepse nuk është normale që klubet shqiptare t’i trajtojnë kështu futbollistët, duke i gjobitur e duke i mashtruar për gjithçka. Në Brazil, që nuk është vend i pasur, as në nivele shumë të ulëta nuk i sheh këto gjëra. Unë dua vetëm të siguroj jetesën e familjes sime, ndaj erdha në Shqipëri dhe do të kisha qëndruar me gjithë qejf nëse gjithçka ishte normale.

PERSONAZHI I VITIT 2021
KLIKO PËR TË VOTUAR
  • Elvis Naçi
    Drejtuesi i Fondacionit "Firdeus", i njohur si mirëbërësi i shqiptarëve të varfër me punën e tij të palodhshme. Banesat që po ndërtohen për të prekurit nga tërmeti, nga fondacioni i tij janë drejt fundit.
    Arjan Sala
    Heroi i Heshtur! Security i një qendre tregtare, i cili dha jetën mes flakëve për të shpëtuar punonjësit që ishin bllokuar nga zjarri në magazinë.
    Edi Rama
    Kryeministri unik, që shpiku skemën e patronazhistëve duke përgjuar shqiptarët dhe pavarësisht kësaj ata i dhanë edhe mandatin e tretë.
    Lulzim Basha
    Kreu i PD-së, rekordmen për qëndrimin në opozitë dhe guximtar për ‘vrasjen’ e babit të tij politik, Sali Berisha.
    Sali Berisha
    Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe ish-kreu i PD-së, i cili, pavrësisht se u shpall “Non-grata” nga SHBA dhe u përjashtua nga PD, arriti të mblidhte Kuvendin Kombëtar të partisë që themeloi dhe e rithemeloi me një pjesëmarrje masive.
    Marin Mema
    Gazetari, i cili u angazhua në rindërtimin e banesave të rrënuara nga tërmeti dhe arriti të dorëzonte brenda disa muajsh çelsat tek qytetarët.
    Altin Goxhaj
    Avokati i njohur në Shqipëri, i cili ngre gjithnjë zërin publikisht ndaj shkeljes të së drejtave të qytetarëve të thjeshtë nga shteti.
    Klodian Elqeni
    I riu, i cili shkelmoi shoferin e çmendur që hyri me makinë në sheshin Skënderbej duke i rrezikuar jetën qytetarëve. Ai fluturoi mbi dritaren e makinës duke neutralizuar agresorin.
    Armando Broja
    Futbollisti i Kombëtares Shqiptare që po shkëlqen në kampionatin anglez. Performancë fantastike edhe me Kombëtaren shqiptare.
    Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova
    Dy xhudistet nga Kosova që fituan medalje të artë në Lojërat Olimpike në Tokyo.
    Albin Kurti
    Kryeministri i Republikës së Kosovës, i cili fitoi zgjedhjet sërish dhe arriti të krijojë qeverinë e re në Kosovë.
    Lylzim Sulejmani
    Shqiptari nga Presheva, i cili arriti të shpëtonte 7 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut nga autobusi, që shpërtheu në flakë në Bullgari.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit