Një e moshuar 73 vjeçe, përpos mërzisë për djalin dhe burrin e vrarë në luftë, tani ka edhe hall se si të jetojë pa të ardhura.
Kjo pasi, përmbaruesi privat e ka bllokuar llogarinë e saj ku i dilte pensioni për shkak të borxhit të rrymës që ajo nuk arrinte të paguante, shkruan JOQ Kosova.
Tek përmbaruesi privat e ka dërguar kompania KESCO, e cila merret me furnizim dhe inkasimin e energjisë elektrike.
“Ma ka ndalë pensionin për shkak të rrymës. Nuk e ke paguar rrymën asnjëherë më kanë thënë. Iu thash se nuk e kam paguar sepse më kanë thënë se e kam pa pare. Kur më kanë prurë letrën e kam paguar. Në fillim kam paguar 50 euro, pastaj 30 apo 40 ashtu si kam pasë”, tregon Shaha Haziri për një televizion kosovar.
Ndryshe, Shaha në këtë shtëpi jeton e vetme. Për të kujdesen fqinjët e saj. Sipas urdhrit përmbarimor shuma që duhet të paguaj është 645 euro si dhe shpenzimet administrative./JOQKosova