Shtohen hajdutët? Epo, shitësit e dyqaneve ruajnë fletoret dhe jo… artikujt

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 02.10.2017, 22:46

s1

Ka kohë që përflitet se në Tiranë janë shtuar hajdutët. Kriza i ka këto efekte anësore dhe nuk ka farmacist që i bën derman. Një fenomen i tillë i ka zhdukur me kohë edhe recetat.

Në medie ka shpesh lajme për raste vjedhjesh e grabitjesh, por a e dini se në kryeqytet shitësit e dyqaneve nuk tremben fare? Jo, absolutisht! Gjënë më të shtrenjtë ata e mbajnë në shtëpi, mundësisht poshtë jastëkut, gati për ta mbrojtur me gjithë trupin e shpirtin në rast rreziku.

Kjo gjë e shtrenjtë, por kaq e vogël, është fletorja.

Çdo shitës ka një fletore të trashë, ku mban të shkruar borxhet e klientëve. Klientë?! Jo, u shprehëm keq. Ata më shumë janë huamarrës. Marrin hua ushqim dhe i kthejnë paratë pas... ehuuu, s'dihet se kur. Këta shitës provën e kanë, edhe pse jo me firmë dhe noter.

"21 milionë lekë më vodhën!" – ankohet njëri prej tyre. Mos u shqetësoni! Ai e hëngri, se vjedhja i fshiu borxhet, jo artikujt që ka në dyqan.

Jetë shqiptarësh do të thotë jetë borxhesh. Kush e ka fajin? Ata lart, thonë, por duket se fajtorët më të mëdhenj janë pikërisht këta poshtë, "liliputët", të cilët nuk ankohen kurrë, votojnë pafund, shpesh edhe me emra të vdekurish apo emigrantësh të harruar.

Zot, ka që thonë se ti nuk ekziston, por të lutemi, duhet të ekzistosh vetëm për shqiptarët! Tjetër nuk kemi, veç po na shpëtuan... hajdutët. /JOQ.al

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit