Bashkia Malësi e Madhe “flirton” me Currin, i “fal” 180 milionë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 10.09.2023, 21:39

Bashkia Malësi e Madhe ndoshta mund të krijojë përshtypjen e një bashkie të vogël e pa “zarar”, por në të vërtetë “zullumin” e bën të madh. Ky institucion i drejtuar nga Tonin Marinaj duket se ka filluar të kopjojë “motrat e vëllezërit” e tij në vend.

Themi kështu pasi kjo bashki ka organizuar një tender të dyshimtë duke i “falur” rreth 180 milionë direkt e në duart e Faik Currit. Bëhet fjalë për një procedurë prokurimi që mban numrin e referencës REF-66053-04-13-2023 dhe ka si objekt “Riparim me asfalt rrugë të brendshme (riveshje me asfalt)”.

Fondi limit i saj është caktuar në vlerën 16,351,499 lekë të reja pa TVSH ose rreth 196 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Por le të shohim dokumentacionin e këtij tenderi. Duke shfletuar shkresat shikohet se në garë kanë marrë pjesë 6 kompani.

Por 2 prej tyre kanë ofruar oferta me shifra më të ulëta sesa kompania CURRI që është shpallur fituese. Këto vlera më të ulëta shkojnë deri në rreth 40 milionë lekë të vjetra. Këto diferenca nuk janë aspak të vogla për një bashki si ajo e Malësisë së Madhe dhe në rastin më të mirë mund të përdoreshin për t’i ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.

Por nuk ka menduar kështu Tonin Marinaj i cili ka shpallur fitues Faik Currin me ofertën e tij ne vlerë 15,183,437 lekë të reja pa TVSH ose rreth 182 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Përveç kësaj, dyshimet shtohen më tej edhe nëse krahasojmë vlerën fituese me atë të fondit limit.

Kështu rezulton se oferta e CURRIT është sa 93% e fondit limit. Të dyja këto fakte së bashku ngjallin dyshime se fituesi ka qenë i ditur që përpara se të organizohej gara.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit