Kryeministri paralajmëroi rritjen e çmimit të energjisë, Konfindustria paralajmëron pasoja të rënda financiare

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 29.05.2023, 11:44

Nëse në ditët e fundit kemi pasur thuajse çdo ditë reshje shiu në një pjesë të mirë të vendit, kjo situatë nuk pritet të zgjasë shumë dhe qeveria ka paralajmëruar thatësirë në verë, çka ndikon menjëherë në sasinë e energjisë elektrike të prodhuar. Si pasojë, qeveria ndërhyri menjëherë për të “kërcënuar” qytetarët se në rast se harxhojnë shumë energji elektrike, çmimi do të rritet ndjeshëm.

Konfindustria, në një deklaratë të bërë publike në rrjetet sociale, kundërshton këtë vendim të qeverisë. Sipas këtij institucioni, kjo nismë e qeverisë duhet të analizohet më thellë dhe jo të vendoset me një të rënë të lapsit, për shkak se në rast se aktivizohet, do të ketë pasoja të rënda ekonomike për qytetarët, industritë, bizneset dhe fuqinë konkurruese të ekonomisë kombëtare.

REAGIMI – Konfindustria kundërshton cdo nismë qeveritare për rritjen e cmimit të energjisë për bizneset dhe qytetarët pa një analizë të thelluar paraprake profesionale për gjendjen dhe menaxhimin e deritashëm të sistemit energjitik. Vetëm në rast, se gjykohet, që potencialet vendore energjitike janë përdorur plotësisht me efikasitet profesional dhe pa korrupsion, është e mundshme të ndërmerren nisma për rritjen e cmimit të energjisë.

Sipas të dhënave të institucioneve zyrtare humbjet nga keqmenaxhimi i sistemit energjitik në 3 mujorin e parë të vitit 2023, ku përfshihen vjedhjet dhe humbjet teknik, arrijnë në mbi 25.1% të sasisë së përgjithshme të hedhur në rrjet nga 8%, që duhet të ishin. Dëmi financiar publik nga më sipër është prej më shumë se 100 milion euro/vit.

Në vlerën e mësipërme nuk përfshihen dëmet nga keqmenaxhimi i rezervave ujore të mëdha të vendit, humbjet financiare nga transaksionet e shitje-blerjes së energjisë, kostot e tejfryra të kompanive publike të energjisë, etj. Cmimet e shitje-blerjes së energjisë elektrike vlerësohen në humbje për kompanitë publike me mbi 20% të sasisë së energjisë dhe vlerë prej qindra milionë euro/vit.

Sa më sipër kryhet në kushtet e subjektivizmit të qartë, duke shmangur ende në vazhdimësi dhe pa asnjë shpjegim dhe përgjegjësi Bursën e Energjisë ALPEX. Gjithashtu, cmimet e energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare janë ulur ndjeshëm gjatë viteve 2022-23 si dhe kushtet e motit kanë qenë shumë të përshtatshme për prodhimin vendor të energjisë, që bëjnë të parsyeshme rritjen e cmimit.

Konfindustria vlerëson, se bizneset dhe qytetarët shqiptarë kanë cmimet më ta larta në rajon të energjisë elektrike. Cdo rritje e mëtejshme e paarsyetuar e cmimit të energjisë elektrike do të ishte me pasoja të rënda për qytetarët, industritë, bizneset dhe fuqinë konkuruese të ekonomisë kombëtare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit