Oligarkët po shkatërrojnë lumin Mat! Nuk ndalet Hasan Hafizi e as Fatmir Vuthaj me shokë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 04.04.2023, 14:06

Kompanitë e biznesmenëve të privilegjuar nga qeveria po shkatërrojnë lumin Mat. Me leje apo pa leje, kujt t’i shkrepet në mendje shkon dhe gërryen për inerte në këtë lum.

40 kompani gërryejnë pa kriter në lumin Mat dhe rrezikojnë shembjen e Urës së Zogut. Kompanitë shkojnë të gërryejnë atje për inerte pa patur asnjë autorizim.

Këtë fenomen e ka denoncuar një qytetar së fundmi në redaksinë e JOQ Albania. Ai shkruan se firmat Albavia sh.p.k dhe Vuthaj sh.p.k. gërryejnë lumin Mat në mes të ditës dhe në sy të policisë.

Sipas qytetarit që denoncon çdo gjë me pamje, ekskavatorët e kompanive në fjalë, çdo ditë, gërryejnë shtratin e këtij lumi për të marrë rërë dhe zhavorr.

Përshëndetje si jeni JOQ! Në sytë e Policisë , medias dhe gjithçkaje vetëm pak metra nga Ura e Zogut kompania Albavia dhe Vuthaj gërryejnë lumin Mat në mes të ditës”, njofton qytetari.

Dhe sikur duket në video Ura e Zogut është drejt shkatërrimit. Ndërkohë vlen të përmendim se firmat Albavia sh.p.k me pronar Hasan dhe Genci Hafizin dhe Vuthaj sh.p.k me pronar respektiv Fatmir Vuthajn po gërmojnë për inerte pa asnjë leje.

AKBU ka pranuar për mediat se disa firma janë futur në të zezë dhe janë gjobitur. Por, me sa po kuptojmë këto institucione e bëjnë “një sy qorr dhe një vesh shurdh” kur vjen fjala tek Hasan e Genc Hafizi dhe Fatmir Vuthaj.

Ndërkohë problemi është edhe më i thellë. Sepse edhe biznesmenët si Pëllumb Salillari, Bardh Kola dhe Agim Kola, që zotërojnë leje për te gërmuar në këtë lum kanë abuzuar në masë. Ekspertët e mjedisit janë shprehur disa herë ne media se lejet e shfrytëzimit për inertet në lumin Mat janë dhënë në kundërshtim me ligjin, duke krijuar një masakër në basenin e këtij lumi.

Në një mbledhje që është bërë dy vjet më parë në Lezhë pikërisht për çështjen e lumit Mat, drejtoresha e Përgjithshme e Inspektoriati të Ujit, Gerta Lubonja është shprehur, “Lejet që janë dhënë me qëllim rehabilitimin e lumit, janë shfrytëzuar vetëm për të marrë inerte pa asnjë lloj studimi”, por asaj kohe askush nuk e dëgjoi.

Dhe tani jemi në një situatë ku ato leje janë shkelur dhe në Mat gërryen kush të dojë, ndërsa institucionet përgjegjëse flenë dhe nuk marrin masa.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit