Trajneri i Kombëtares, Sylvinho ka dalë në një konferencë për mediat, ku ka folur për listën e lojtarëve të përzgjedhur për sfidën me Poloninë. Ai shprehet se ka vlerësuar një listë prej 70 lojtarësh dhe se kjo aktuale do të ndryshojë në të ardhmen.
LISTA – “Janë dy muaj punë intensive, më shumë se 240 ndeshje të shikuara. Po flasim për 60-70 lojtarë të vlerësuar, pastaj shumë punë për të arritur te 23 lojtarët. Mendojmë se është një grumbullim për të shkuar të bëjmë një ndeshje.
Aty duhet të kuptojmë gjithçka, puna është kjo, jemi të lumtur nga ajo që kemi parë, nga ajo që na ka lejuar federata, të udhëtojmë e të shohim lojtarët. Dua të falënderoj edhe Shtëpinë e Futbollit, jetoj në Tiranë dhe është kënaqësi të vij këtu, këtu kam bërë stërvitje në fushë me disa të rinj vetëm për të kuptuar nëse kishte ndonjë gjë apo problem, por tani presim lojtarët.
Fillimisht Mehmeti është më i ri, po bën një rrugëtim shumë të mirë duke luajtur në Championship. Ai është lojtar krahu, i aftë, i ri, duhet të zhvillohet e përmirësohet. Asani është një i majtë, ku kishim mungesa, është një mesfushor sulmues, i cili ka një rrugëtim të rëndësishëm në Hungari. Sot ka shënuar tre gola. Po ndjekim atë dhe shumë të tjerë.
Kemi vlerësuar 70 lojtarë. Pastaj mendoj dhe është e drejtë, që kemi 23 lojtarë dhe kemi menduar për një ndeshje, mund të bëjmë rreshtime të ndryshme se kemi lojtarë për shumë skema loje. Ende duhet të kuptojmë ndjesinë e parë, të shohim të hënën”.
TË PAFTUARIT – “Ne na duhet të bëjmë zgjedhjet tona, por të gjithë ata që përmendët janë shumë të rëndësishëm, do të na ndihmojnë në të ardhmen, por ne kemi bërë zgjedhje vetëm për ndeshjen me Poloninë”.
BERISHA DHE STRAKOSHA – “Të dy unë i kam takuar, nuk kanë luajtur me ekipet e tyre, por kanë shumë eksperiencë dhe janë shumë të rëndësishëm. Është e rëndësishme që e ndjejnë fanellën dhe ata i plotësojnë kriteret. Ka edhe lojtarë si Muçolli që na bën punë, do ta mbaj në vëzhgim nëse do të jetë në të ardhmen.
MUNGESAT – “Ka një ndryshim me periudhën kur erdha, s’e njihja mirë skuadrën. Është bërë një punë e madhe, i kemi idetë e qarta, me zor presim të hënën kur të fillojmë nga puna. Do të nisim punën gradualisht, jam njohur me ambientin dhe çfarë pres në të ardhmen. Mungesat do të na penalizojnë, nuk më pëlqen të qahemi për mungesat dhe problematikat që mund të kemi”, tha Sylvinho.