Lionel Messi ka dhënë një intervistë të gjatë së fundmi dhe ndër të tjera ka folur edhe për episodet e shumta në çerekfinale të Kupës së Botës ndaj Holandës. Ajo rezultoi të ishte një ndeshje shumë e tensionuar, që në fund u mbyll me një grindje në transmetim direkt mes kapitenit të Argjentinës dhe sulmuesit të Manchester United, Wout Weghorst.
Argjentina po fitonte me shifrat 2-0 atë ndeshje, por dy gola të Weghorst në fund e shndërruan në një ndeshje të çmendur, që në shtesë prodhoi një numër të madh episodesh. Në fund ndeshja shkoi me penallti dhe Argjentina arriti të tregohej më e saktë dhe siguronte kalimin në gjysmëfinale.
Pas ndeshjes, Messi po fliste për një nga televizionet argjentinase, kur pati një zënkë me Weghorst. Nuk dihet saktësisht çfarë holandezi i tha kampionit të botës, por Messi ishte shumë i acaruar dhe nuk ja ndjeu se ishte në transmetim direkt përpara miliona shikuesve. “Çfarë po shikon? Idiot. Ik andej”, ishin fjalët e Messit kundrejt Weghorst.
Në daljen e parë për mediat pas fitimit të Kupës së Botës, Messi ka folur pikërisht për këtë video dhe tregon se nuk i pëlqen sjellja e tij në këtë rast. “Nuk më pëlqen kjo foto. Nuk më pëlqen ajo që bëra, por kishte shumë tension dhe më doli natyrshëm. Gjithsesi, nuk më pëlqen ky imazh i imi”, u shpreh argjentinasi.
Gjithsesi, ky episod në Argjentinë e bëri akoma më të dashur dhe i bëri tifozët të ndiheshin se Messi më në fund është i ngjashëm me ta dhe nuk është një “spanjoll”, siç e quanin disa. Edhe tani në Buenos Aires shihen shpesh bluza, filxhanë dhe kapele, që kanë të stampuara pikërisht fjalët e kapitenit në atë episod.
Ndërkohë Messi në intervistë i është përgjigjur edhe pyetjes se çfarë do të donte t’i thoshte vetes kur ishte 20 vjeç. Ai e lidh gjithçka mbi karrierën e tij me një film, që ka fund të lumtur. Në fakt ka të drejtë. Karriera e tij është tërësisht e tillë.
“Do t’i thosha se e pret diçka e jashtëzakonshme, diçka që nuk mund ta imagjinonte. Se do të ketë një rrugëtim shumë të bukur, me momente të vështira që do t’i duhet t’i kapërcejë, por kurrë të mos heqë dorë nga ëndrrat e tij, sepse në fund do të ketë shpërblimin e tij më të madh. Dhe do të ketë një fund të lumtur, si një film.
Ai foli edhe për karrierën e tij në kombëtaren e Argjentinës. “Kishte momente që kam vuajtur shumë me kombëtaren, shumë zhgënjime, kisha marrë kritika dhe e di që familja ime ka vuajtur shumë, ashtu si unë. Unë u lëndova nga e gjithë kjo, por tani më dukej sikur të kisha bërë një rreth të plotë dhe arrita suksesin që kisha dashur”, përfundoi 35-vjeçari.