Përveçse kanë pagat më të ulëta në rajon, familjet dhe individët shqiptarë përballen dhe me çmime më të larta sa herë që duan të plotësojnë nevojat e tyre të përditshme për tu ushqyer.
Sipas statistikave të Eurostat, të përpunuara nga Monitor, çmimet mesatare të ushqimeve dhe pijeve alkoolike në Shqipëri janë sa 83.3% e mesatares së Bashkimit Europian, duke u renditur e dyta më e shtrenjtë në rajon, pas Serbisë (85.5%).
Të dhënat i referohen vitit 2021. Më e lira në rajon është Maqedonia e Veriut, me 64.4% të mesatares europiane, Bosnjë Hercegovina (78.8), Kosova (80.6%), Mali i Zi (82.2%).
Në të kundërt, paga mesatare në Shqipëri është më e ulëta në rajon. Në shtator 2022, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri ishte rreth 520 euro, ose rreth 40% më e ulët se në Serbi, ku paga mesatare arriti në 880 euro/muaj në të njëjtën periudhë.
Në Mal të Zi paga mesatare është 885 euro, Bosnjë Hercegovinë 896 euro, Maqedoninë e Veriut 788 euro. Në Kosovë, në fund të 2021-t, ky tregues ishte 482 euro. Çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë rritur më shpejt se mesatarja e Bashkimit Europian.
Sipas Eurostat, në vitin 2016, çmimet e ushqimeve dhe pijeve jo alkoolike ishin sa 71% e mesatares së Bashkimit Europian, duke qenë relativisht më të lira se Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina, duke lënë pas Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Edhe diferenca e pagave me rajonit ishte më e ulët (psh në 2019-n paga mesatare ishte rreth 30% më e ulët sesa rajonit). Pesë vjet më pas, Shqipëria është e dyta më e shtrenjtë për çmimet relative të ushqimeve me rajonin, ndërsa diferenca mes pagave është rritur në 40%.