Izbi Çaushi, 38-vjeçari shqiptar që akuzohet për vrasjen e “Amerikanit” mëngjesin e së premtes në Kalamatë mund të jetë arratisur në Shqipëri me një makinë me qira në emrin e tij.
Vitin e kaluar, më 22 nëntor, shqiptari e kishte marrë me qira automjetin nga një zyrë makinash me qira në Kalamata për 600 euro në muaj, por ai kishte paguar për dy muaj. Të dielën e kaluar ka skaduar qiraja dhe pronari i zyrës ka ngritur padi për përvetësim të makinës.
Ndaj 38-vjeçarit shqiptar është lëshuar një urdhër arresti nga organet e drejtësisë së Kalamatës dhe kërkimet për vendndodhjen e tij vijojnë. Ndërkohë që policia greke nuk përjashton mundësinë e arratisjes për të shmangur arrestimin pas krimit edhe pas gjetjes së strehimit të përkohshëm në Kitries.
Ditën e djeshme dy grekët që sipas Policisë kanë ndihmuar shqiptarin në kërkim dhe bashkëpunëtorin e tij 22-vjeçar duke i ofruar strehim dhe veshje të përkohshme kanë dalë para gjykatës. Të pandehurit grekë, pronari i restorantit dhe punonjësi i tij 40-vjeçar, mohojnë se kanë ndihmuar dy të pandehurit për vrasjen dhe thonë se bëhet fjalë për një keqkuptim.
Nga ana tjetër 22-vjeçari shqiptar Aleksandër Koto akuzohet për vrasje të përbashkët dhe si bashkëpunëtor i 38-vjeçarit shqiptar.