Enes Kanter është një nga basketbollistët më të njohur turq, por në javët e fundit qeveria e presidentit Ergodan e ka shpallur si armik dhe ka ofruar 500 mijë euro për këdo që ndihmon në kapjen e ish-lojtarit të NBA. Kanter është një person, që e ka kundërshtuar hapur Erdoganin.
Ai është shprehur vazhdimisht se presidenti turk po shndërrohet në një diktator, teksa ka paralajmëruar se ai së shpejti do të sulmojë Greqinë. Kanter pas deklaratave të tij është futur në listën e “terroristëve më të kërkuar”. Kjo padyshim e ka mobilizuar, por edhe frikësuar ish-basketbollistin.
“Kam pasur shumë telefonata nga FBI dhe qeveria e SHBA-së. Më thanë se kjo është hera e parë që qeveria e Erdogan shpall në kërkim një person dhe vendos shpërblim për gjetjen e tij. Ata më thanë që persona të ndryshëm do të përpiqen të më gjejnë apo lëndojnë, si mafia, vrasësit profesionistë, madje edhe kartelet.
Dje fola me FBI dhe më thanë se tani e tutje kudo që të shkoj duhet t’i informoj. Sigurisht që kam frikë për jetën time. Çdo ditë që zgjohem shikoj telefonin tim dhe ka qindra kërcënime për jetën”, u shpreh Enes Kanter, i cili konsiderohet nga mbështetësit e Erdogan si mbështetës i kundërshtarit Fetullah Gulen.