Presidenti i Federatës Franceze: As nuk do t’ia hapja telefonin Zidanes, le të kërkojë kombëtare tjetër

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 09.01.2023, 09:48

Didier Deschamps vetëm para pak ditësh rinovoi kontratën e tij si trajner i Francës deri në vitin 2026. Në medie ishte përfolur shumë largimi i mundshëm i ish-mesfushorit dhe ardhja në krye të stolit e legjendës së Francës dhe Real Madrid, Zinedin Zidane.

Presidenti i Federatës Franceze të futbollit, Noel Le Graet, ka folur rreth zëvendësimit të Deschamps me Zidane. Ai tregohet mjaft i ashpër në përgjigjen e tij dhe shprehet se Federata nuk e ka cilësuar në asnjë moment Zidane si trajner të mundshëm për kombëtaren.

Kur ngacmohet nga gazetari i “RMC Sport” se çfarë do të bënte në rast se Zidane e telefononte për t’i kërkuar stolin e kombëtares, Le Graet shprehet se nuk do të denjonte as t’i hapte telefonin ish-fituesit të Topit të Artë dhe Kupës së Botës me Francën.

“Nuk e kam takuar kurrë Zidane, nuk kemi menduar kurrë të ndahemi nga Deschamps. Disa njerëz duhet t’i ndryshojnë gjërat ose t’i shpikin sepse nuk e dinë çfarë të shkruajnë. Po të më telefononte Zidane? Sigurisht që jo, as nuk do t’i përgjigjesha telefonit të tij.

Le të kërkojë ndonjë klub apo kombëtare tjetër. Ai kishte kaq shumë mbështetës, disa prisnin që Deschamps të shkarkohej që Zidane të merrte kreun e kombëtares. As nuk më intereson se ku ai shkon”, është përgjigjur presidenti i Federatës Franceze të Futbollit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit