Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka shpallur bojkotimin e Samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë dhe e ka quajtur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, “llum terrorist”.
Kujtojmë se Albin Kurti emëroi Nead Rashiqin, një serb etnik pak i njohur dhe anëtar i Partisë Demokratike Progresive, në krye të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, për të cilën Serbia thotë se është jokushtetuese. Kjo vjen pasi të gjithë anëtarët e partisë së Listës Serbe dhanë dorëheqje nga mandatet e tyre në shenjë proteste ndaj politikës së targave të Prishtinës.
“Askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë më 6 dhjetor”, tha Vuçiç.
“Ata zgjodhën llumin më të keq serb, njerëz që nuk kanë respektin e askujt në Kosovë, por gëzojnë besimin e llumit terrorist Albin Kurti dhe agjentëve perëndimorë që i emëruan atje, duke menduar se kështu do ta shkatërrojnë dhe terrorizojnë Serbinë”, tha Vuçiç, në një koment për mediat serbe.
Për BE-në, ai vazhdoi: “Ti merr rrogën, udhëton me avion, bën shënime se si Serbia është fajtore për diçka dhe nuk mund të gjesh asgjë për të cilën është fajtore Serbia. Nuk ka problem, thjesht bëjeni pa Serbinë dhe të shohim se çfarë bëni dhe si”.
Samiti do të mbledhë së bashku vendet e BE-së si dhe të gjithë ata që shpresojnë në BE nga Ballkani Perëndimor për të diskutuar zgjerimin dhe çështje të tjera me të cilat përballet kontinenti, duke përfshirë luftën e Rusisë në Ukrainë.
Beogradi ka refuzuar të përafrohet me politikën e BE-së ndaj Rusisë dhe vazhdon të kultivojë lidhje të ngushta dhe të lëshojë deklarata mbështetjeje. Ky tension është përkeqësuar nga çështjet e vazhdueshme me Kosovën dhe kërcënimet për veprim ndërsa Prishtina kërkon të afirmojë pavarësinë dhe sovranitetin e saj.
Në një mesazh të drejtëpërdrejtë për Albin Kurtin ai ka thënë: “Dhe llumit terrorist i them: Sigurohuni që ju dhe kuislingët tuaj të zgjedhur të mos dëmtoni asnjë serb. Sepse serbët do të dinë si të reagojnë”, ndërsa shtoi: ‘Dhe juve në Evropë, ju them turp për ju”.
Albin Kurti dhe Nead Rashiqi