Emiriana Sako, kryetarja aktuale e Bashkisë Durrës vazhdon pa “iu trembur syri” me tenderat e saj në shifra të konsiderueshme. Në një kohë krize ku çmimet e të gjitha produkteve ushqimore janë rritur në shifra alarmante, kryetarja në fjalë gjen kohë dhe harxhon 66 milionë lekë për të marrë konsulencë nga dikush që në media cilësohet si “miku i Edi Ramës”.
Bëhet fjalë për Alban Efthimi i kompanisë ATELIER 4. Në shumë raste bashkëpunëtore e kësaj kompanie mësohet se ka qenë edhe Rea Xhillari, vajza e bashkëshortes së Ramës. Më konkretisht bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-30849-05-26-2022 dhe me objekt “Studim projektimi për rikonstruksionin e pallatit të sportit Ramazan Njala”.
Fondi limit i tij është 5,711,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 68 milionë lekë të vjetra me TVSH. Duke parë dokumentacionin e tenderit shikohet se janë kualifikuar në garë vetëm dy kompani, nga të cilat është shpallur fituese ATELIER 4 e Alban Efthimi në bashkëpunim me INFRATECH të Filjana Veizaj, për një vlerë prej 5,500,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 66 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Nëse krahasojmë vlerën fituese me atë të fondit limit rezulton se oferta e dhënë nga ATELIER 4 është sa 96.3% e fondit limit të tenderit, duke ngritur dyshimet se kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar.