Shpresa Joanidhi “fërkon duart”, 1 miliardë të tjera në tenderin për ushqimin e ushtarëve në Vlorë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 21.08.2022, 21:03

Të tjera para që dalin nga arka e shtetit shqiptar dhe që përfundojnë në xhepat e Shpresa Joanidhit. Kjo e fundit ka marrë shifra të konsiderueshme në rastin e tenderave të ndryshëm nga një sërë institucionesh shtetërore.

Problemi është se shpesh këto tendera kanë ngjallur dyshime për shkak të mungesës së konkurrencës apo afërsisë së frikshme të ofertës me fondin limit të tenderit. I tillë duket se është edhe ky rast ku kompania DION-AL në pronësi të Shpresës dhe familjarëve të saj, ka futur në xhep rreth 1 miliardë lekë të vjetra me TVSH për gatim dhe shpërndarje ushqimi në repartin e Bunavisë në Vlorë.

Më konkretisht bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-27117-04-28-2022 dhe me objekt “Loti 7 – Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi për Repartin Ushtarak Nr. 5008 (QAPU) Bunavi, Vlorë”. Fondi limit i kësaj procedure është 81,694,220 lekë të reja pa TVSH ose gati 1 miliardë lekë të vjetra me TVSH.

Duke parë dokumentacionin e tenderit shikohet se kemi të bëjmë me një mungesë konkurrence pasi në garë kanë marrë pjesë vetëm dy kompani. Jo vetëm kaq, por firma fituese e Shpresa Joanidhit është shpallur fituese ndonëse ka dhënë ofertën më të lartë. Kjo ofertë është 80,072,808 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Ndërkohë kjo shifër rezulton të jetë sa 98% e fondit limit të tenderit. Të gjitha sa më sipër krijojnë dyshime të forta se kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit