“Kalim i sigurtë, marrim edhe familje”/ Shqiptarët bien në grackën e gazetarëve anglezë, iu tregojnë atyre të gjitha sekretet e punës

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 09.08.2022, 00:07

Numri i lartë i emigrantëve shqiptarë që mbërrijnë çdo ditë në Mbretërinë e Bashkuar është kthyer në problem të madh për britanikët, politikanët dhe mediat kundër emigrantëve. Shumë media prestigjioze që njihen për qëndrimin e fortë editorial kundër emigracionit po punojnë fort për të zbuluar bandat e shqiptarëve që trafikojnë njerëz dhe se si funksionon puna e tyre.

Në një artikull të “TheSun” thuhet se kontrabandistët e njerëzve po përdorin TikTok për të reklamuar kalimet me gomone dhe mburren se si francezët i lejojnë emigrantët të kalojnë. Gazetarët investigativë kanë zbuluar llogari të shumta të shqiptarëve që reklamojnë kalim “të sigurt” me varka të vogla apo edhe jahte luksoze, plus këshilla se si të silleni në azil. Duke i kërkuar hetuesit anglez 4,500 £ për një kalim me gomone, një shqiptar u mburr:

Francezët nuk do t'ju ndalojnë. Përkundrazi, ata do t'ju shoqërojnë të sigurt derisa të arrini në kufirin ujor të Mbretërisë së Bashkuar.

Gazetarit anglez i paraqitur si një emigrant shqiptar iu tha më pas të kontaktonte një avokat pas mbërritjes në Britani, i cili “mund t’a ​​ndihmojë për të formuluar një histori të mirë për azil.

Mund t'ju jap një numër avokatësh që kam përdorur për të afërmit e mi. Ata kanë arritur të sigurojnë dokumentacion (leje qëndrimi) për gjysmën e shqiptarëve në Londër. Tre muaj më parë një djalë u mbajt në paraburgim për një muaj, pastaj u lirua nga avokati i tij. Të gjithë të tjerët me të cilët kam biseduar pasi mbërritën u dërguan në hotele, më pas u zhdukën. Ata shkuan te të afërmit e tyre.

Kontrabandisti i cili administron faqen në TikTok me emrin “franc_gomone_angli1” po fiton para nga mijëra shqiptarësh që shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitin 2021, gjithsej 757 shqiptarë kaluan Kanalin me varka të vogla. Në vetëm gjashtë javë këtë verë, 1,075 shqiptarë kaluan gati 40 për qind e të gjithë atyre që arritën në Britani në këtë mënyrë. Ndërkohë që Shqipëria anëtare e NATO-s është e goditur nga varfëria, ajo nuk ka qenë në luftë për 25 vjet.

Duke u shtirur si një emigrant që kërkon një udhëtim me gomone për në Britani, hetuesi anglez kontaktoi tre faqe TikTok që reklamonin kalimet e paligjshme. Një kontrabandist – i cili e quajti veten Gent dhe pretendonte se ishte “i zoti" i biznesit të kontrabandës së njerëzve kërkoi 15,000 £ për person për një shërbim "më të sigurt" me jahte luksoze. I kontaktuar nga hetuesi, shqiptari tha:

Shqiptarë, mos e vendosni veten në rrezik. Ne kemi një udhëtim me jaht me dhoma çdo fundjavë.

Një tjetër kontrabandist i cili tha se jetonte në Birmingham dha çmime më të ulëta për një vend në gomone ose dy me çmim 8,000 £. Llogaria “franc_gomone_angli1” ka 1,819 ndjekës të TikTok dhe 6,937 pëlqime. Ajo promovon biznesin e saj me një sërë videosh që tregojnë emigrantë të ngjeshur në gomone dhe në to shkruhet:

Udhëtim sonte nga Calais dhe Dunkirk. Suksesi flet vetë. Djemtë arritën mirë në Londër sonte. Udhëtoni çdo ditë. Ne marrim edhe familje.

Hetuesi e pyeti kontrabandistin në bisedën TikTok nëse përpjekja e qeverisë për të dëbuar emigrantët në Ruandë, në Afrikën Qendrore, do të përbënte një problem. Shqiptari iu përgjigj:

Jo, jo, mos u shqetëso. Ata nuk ju dërgojnë atje. Kjo është anuluar. Ata do t'ju dërgojnë në një hotel. Pastaj prej andej ke mundësinë të shkosh sa herë të duash.

I pyetur nga gazetari se çfarë të thotë kur kërkon azil, kontrabandisti shtoi:

Duhet të gjesh një avokat kur të arrish në hotel. Do të keni mjaft kohë për të menduar për historinë tuaj dhe për të gjetur një avokat. Do të duhen shumë muaj për të bërë intervistën e parë sepse ka shumë njerëz (migrantë).

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit