Mediat britanike “jehonë” vdekjes së Jonadës: Rasti i tretë në një muaj ku skafet në plazhet e Shqipërisë u shkaktojnë aksidente turistëve

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 05.08.2022, 13:58

Jonada Bledar Avdia, është vogëlushja që humbi jetën në plazhin e Himarës si pasojë e goditjes nga skafi i cili drejtohet nga efektivi i lartë i policisë Arjan Tase, shef komisariati në Elbasan.

E ndjera me origjinë nga Tropoja kishte ardhur nga Anglia me familjen e saj për të shijuar disa ditë pushime në plazhin Potam të Himarës, por ndërroi jetë tragjikisht.

Media britanike “The Mirror” ka pasqyruar ngjarjen e rëndë që ndodhi në brigjet shqiptare, tragjedinë ku humbi jetën Jonada Avdia, vajza 7 vjeçare e goditur nga skafi i shefit të policisë.

Sipas Mirror, 7-vjeçarja Jonada Avdia, jetonte në Barking, në lindje të Londrës.

“Një vajzë e re britanike ka humbur jetën në një aksident të tmerrshëm pasi dyshohet se u godit nga skafi i një polici jashtë shërbimit teksa po pushonte në Shqipëri. Vdekja e Jonada Avdias ka sjellë protesta në të gjithë vendin duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe ministrave.

Shtatë vjeçarja humbi jetën pasi polici Arjan Tase dyshohet se po manovronte rrezikshëm me skafin e tij në plazhin e Potamit në Himarë, në jug të Shqipërisë. Policia konfirmoi se rreth orës 14:00 të së martës shoferi i skafit humbi kontrollin dhe goditi fëmijën nga Barking në Londër, e cila vdiq menjëherë në vendngjarje.

Ai pritet të dalë të premten para gjykatës së Vlorës pasi u akuzua për vrasje nga pakujdesia. Pedagogu Bislim Ahmetaj ka shpërndarë një postim prekës në rrjetet sociale duke thënë: “Shqiptarët po vajtojnë për Jonadën dhe familjen e saj, ndërsa për ty, vrasës i fëmijëve dhe ëndrrave, nuk do të ketë varr.

Drejtësia për Jonadën duhet dhe do të vendoset nga qytetarët shqiptarë”. Ai zbuloi gjithashtu një bisedë prekëse që kishte bërë me babain e vajzës, Bledarin. Babai i pikëlluar i tha se po e mbante për dore vajzën e tij kur ajo u godit dhe tha “Duhet të kisha vdekur unë”.

Ky është rasti i tretë në një muaj ku skafet në plazhet e Shqipërisë u shkaktojnë aksidente turistëve”, shkruan Mirror.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit