Veç relaksit ua jepnin edhe atë! Arrestohen dy masazhatoret në Tiranë, shefi i tyre ia mbath

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 05.08.2022, 09:53

Një çerdhe prostitucioni është zbuluar në një qendër masazhesh në rrugën “Teodor Keko” në Tiranë.

Policia ka vënë në pranga 2 menaxheret e qendrës së masazhit, dhe një prej punonjëseve që ushtronte prostitucion, ndërkohë që ka shpallur në kërkim pronarin.

Nga ana tjetër janë proceduar dhe disa prej punonjëseve, dhe një klient nga Maqedonia.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6., operacioni policor i koduar “Location”.

Goditet 1 rast i shfrytëzimit të qendrave të masazheve për prostitucion, vihen në pranga 3 shtetase.

Procedohen penalisht 4 shtetas të tjerë. Shpallet në kërkim pronari i qendrës së masazheve.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për veprimtarinë e kundërligjshme të prostitucionit në një qendër masazhesh, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Location”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetaseve:

– M. H., 27 vjeç dhe B. K., 23 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, menaxhere në një qendër masazhesh, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Moskallëzimi i krimit”;

– S. S., 22 vjeçe, banuese në Tiranë, punonjëse në qendrën e masazheve, për veprën penale “Prostitucioni”.

Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Prostitucioni”, shtetasit:

– Z. A., 30 vjeçe, Xh. Sh., 21 vjeçe dhe A. K., 26 vjeçe, të trija banuese në Tiranë, punonjëse në qendrën e masazheve;

– R. M., 37 vjeç, banues në Maqedoni, klient në qendrën e masazheve.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve, u shpall në kërkim shtetasi M. M., 47 vjeç, pronari i qendrës së masazheve, për veprat penale “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.

Shtetaset M. H. dhe B. K. menaxhonin qendrën e masazheve në pronësi të shtetasit M. M., në rrugën “Teodor Keko”, në të cilën ishin të punësuara shtetaset S. S., Z. A., Xh. Sh. dhe A. K.

Përvec aktivitetit të regjistruar si qendër masazhesh, në këtë ambient, nga 2 menaxheret dhe 4 punonjëset (masazhatore), ushtrohej edhe aktiviteti i kundërligjshëm i prostitucionit, i organizuar nga pronari i kësaj qendre.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit