Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell ka thënë se Bashkimi Evropian insiston që Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumice serbe sa më shpejt që të jetë e mundur, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.
Teksa i çoi një mesazh të prerë kryeministrit Albin Kurti, shtoi se nuk ka mundësi ta detyrojë Kosovën ta bëjë këtë, thuhet në përgjigjen e diplomatit spanjoll në një pyetje parlamentare “çfarë do të bëjnë me refuzimin e Kosovës për të formuar Asociacionin”, raporton N1.
Po ashtu, Borrell është shprehur se BE-ja vazhdimisht u ka kujtuar institucioneve të Kosovës që të zbatojnë shpejt dhe plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e tokës në Manastirin e Deçanit pa ndonjë vonesë të mëtejshme.
“Themelimi i Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe është rënë dakord nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia, në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Marrëveshja është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe Kosova duhet të përmbushë obligimin ligjor dhe ta zbatojë atë”.
“Të dyja palët duhet të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre ligjore ndërkombëtare dhe të zbatojnë marrëveshjet në pritje, si dhe të bëjnë përpjekje të mëtejshme të rëndësishme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, e cila është vendimtare për rrugën e tyre evropiane”, theksoi Borrell.
Ai shtoi se “plotësimi i nevojave të komunitetit pakicë serb në Kosovë është i një rëndësie të madhe për BE-në në Kosovë” dhe se Brukseli po monitoron me kujdes zhvillimin e situatës në ato zona.