Bashkia e Veliajt i jep 130 milionë lekë për goma e bateri, firmës me ofertën më të lartë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 28.07.2022, 22:26

Përditë e më tepër përballemi me një numër tepër të lartë tenderash të dyshimtë. Natyrisht një pjesë e mirë e tyre realizohen nga bashkitë e vendit, ku Bashkia Tiranë zë përgjithësisht një vend kryesor në lidhje me këto tendera të cilësuar si të dyshimtë. Njëri prej tyre është ai i organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit Tiranë, një institucion në varësi të Bashkisë Tiranë.

Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit me numër reference REF-34512-06-27-2022 dhe me objekt “Blerje pjese këmbimi, goma bateri”. Fondi limit i saj është 10,828,667 lekë të reja pa TVSH ose rreth 130 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Nëse studiojmë dokumentacionin përkatës të këtij tenderi vihet re se në garë janë kualifikuar vetëm dy kompani, ku fituese është shpallur ajo që ka dhënë edhe ofertën më të lartë.

Kështu fituese është shpallur firma GAJD Company sh.p.k. në pronësi të shtetasit Alfred Qëndro. Kjo kompani ka ofruar vlerën prej 10,690,400 lekësh të reja pa TVSH ose rreth 130 milionë lekë të vjetra me TVSH. Ndërkaq vihet re se firma tjetër ndonëse ka ofruar një vlerë rreth 11 milionë lekë të vjetra me TVSH më pak, përsëri nuk është marrë në konsideratë. Në fakt një diferencë prej 11 milionë lekësh të vjetra është një shumë e konsiderueshme kur bëhët fjalë për goma, bateri apo pjesë këmbimi.

Megjithatë kjo nuk e ka ndikuar aspak institucionin në fjalë që të shpallë fituese firmën tjetër me ofertë 11 milionë lekë më shumë. Në fakt vlera fituese rezulton ndërkohë të jetë thuajse sa 98.72% e fondit limit të tenderit, duke rritur akoma më tej dyshimet se kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit