Zjarri në spitalin e Tetovës, familjarët kërkojnë drejtësi

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 28.07.2022, 20:13

Pasi që prokuroria publike në Tetovë ka dorëzuar akuzën në gjykatën themelore ndaj tre personave fizik dhe një juridik, për zjarrin në spitalin modular më 8 shtator të vitit të kaluar, ku humbën jetën 14 persona, familjarët e viktimave shprehen skeptik se drejtësia do të arrijë të zbardhë tërë rastin. Mumin Ismaili nga fshati Nerasht, i rrethinës së Tetovës, thotë se natën kritike ka qenë në vendngjarje pasi që e kishte të shtruar nënën e tij në spitalin modular. Nuk i beson drejtësisë por megjithatë shpreson se më në fund ky rast do të ketë epilog. Nëse organet e drejtësisë nuk arrijnë të zbardhin rastin, drejtësi se do të kërkojë në Gjykatën e Strasburgut, thotë ai.

“Unë nuk mendoj se do shkoj gjykimi siç pretendohet të jetë, sepse deri më tani nuk është zbardhur asgjë, e në këtë rast edhe modulari. Tash hyjmë në muajin e njëmbëdhjetë prej kur ndodhi rasti, nuk pres gjykim transparent por presim. Shpresat nuk i humbim. Por gjithsesi ne nuk do dorëzohemi. Për këtë rast do shkojmë edhe në gjykatën e Strasburgut nëse ka nevojë të ankohemi, sepse kemi humb familjarët, sidomos mua që nëna mu dogj në krah. Por do shohim është e patjetërsueshme dikush të merr përgjegjësi për këtë rast”, thotë Mumim Ismaili, familjarë,raporton koha.mk.Ismaili thotë se përgjegjësi duhet të ketë për më shumë persona.

“Unë 28 ditë kam qenë në spital aty, nuk ka pasur asnjë kusht për trajtim të të sëmurëve me kovid. Mungesa e parë ka qenë stafi mjekësor, unë isha 28 ditë kishte gjashtë dhoma me nga gjashtë krevate ndërsa ka pasur katër ekipe mjekësore. Dhe më tregoni me logjikën tuaj katër mjekë a mund të trajtojnë 36 pacientë kur secili pacient çdo sekondë kishte nevojë për trajtim”, u shpreh Mumim Ismaili, familjarë.

Sipas informacioneve, dy persona akuzohen se kanë kryer nga një vepër penale, “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”. I akuzuari i tretë sipas prokurorisë ka kryer vepër penale “mosveprim sipas ligjeve shëndetësore në kohë pandemie”. Ndërsa personi juridik (spitali klinik) ka kryer vepër penale “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”. Në 8 shtator të vitit të kaluar spitali modular i Tetovës, ku po trajtoheshin 26 pacientë, u përfshi nga zjarri. Jetën e humbën 14 persona, prej të cilëve 12 pacientë dhe dy persona që kujdeseshin për familjarët e tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit