Pasi harxhoi 1 miliardë për rikonstruksionin e Parkut Rinia, Veliaj harxhon dhe 50 milionë të tjera për ujitjen e tij

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 23.07.2022, 22:10

Vetëm pak kohë më parë u inaugurua rikonstruksioni i Parkut Rinia në mes të Tiranës. Rikonstruksioni që në fakt kushtoi rreth 1 miliardë lekë jo vetëm që nuk solli asgjë të re por përkundrazi pak ditë pas inaugurimit u përmbyt më mënyrë skandaloze, duke rritur ndjeshëm dyshimet se paratë përfunduan nëpër xhepa sesa për të bërë realisht punën.

Por për habi duket se këto 1 miliardë lekë nuk na mjaftokan. Madje rezulton se Veliaj “ka harruar” të përfshinte sistemin e ujitjes së parkut. Kjo pasi së fundmi Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, ka hapur një tender me fond limit 4,166,667 lekë të reja pa TVSH ose rreth 50 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Por tenderi në fjalë pas një hulumtimi të dokumentacionit rezulton të jetë gjithashtu i dyshimtë. Themi kështu pasi në të ka marrë pjesë si e kualifikuar vetëm një kompani, përkatësisht “Gjelbërimi 2000” në pronësi të Fadil Shahini.

Kjo firmë është shpallur fituese me ofertën prej 3,991,850 lekë të reja pa TVSH ose rreth 48 milionë lekë të vjetra me TVSH. Rezulton ndërkohë se vlera fituese është thuajse e njëjtë me vlerën e fondit limit, përkatësisht sa 95.8% e tij. Të gjitha sa më sipër ngrenë dyshimet se në fakt këto para do të shkojnë drejt e në xhepat e një fituesi të paracaktuar duke ngritur dyshime për vërtetësinë e tenderit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit