Veliaj harxhon 100 milionë në tenderin pa garë, për t’i ujitur barin Ramës

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 24.06.2022, 22:12

Duket se Veliaj nuk i ndahet tenderave të dyshimtë, aq më tepër atyre me shumë para në mes. Madje edhe kur bëhet fjalë për të ujitur barin e Ramës. Po, po, e lexuat mirë. Del se Edi Rama ka nevojë që dikush t’i ujisë barin. Jo barin që mendoni ju miq, por barin rreth e përqark Kryeministrisë.

Dhe për këtë rezulton se u dashkan shpenzuar rreth 100 milionë lekë të vjetra me TVSH. Dhe kush më mirë se Erion Veliaj mund t’ia zgjidhë këtë hall kryeministrit? Kështu Veliaj ka organizuar një tender të dyshimtë nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit Tiranë, institucion ky në varësi të Bashkisë Tiranë.

Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-31750-06-03-2022 dhe me objekt “Sistem vaditje automatik me pus në Lulishten e Kryeministrisë”. Fondi limit i tij është 8,050,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 100 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Duke studiuar dokumentacionin përkatës shikohet se ka marrë pjesë vetëm një kompani, përkatësisht ERGI në pronësi të shtetasit Nuri Balla nga Elbasani.

Firma në fjalë ka ofruar vlerën 7,959,608 lekë të reja pa TVSH ose rreth 100 milionë lekë të vjetra më TVSH. Përveç mungesës së konkurrencës shikohet se vlera fituese është gjithashtu thuajse e njëjtë me fondin limit të tenderit, gati sa 98.9%. Të gjitha sa më sipër krijojnë dyshime se fituesi mund të ketë qenë i paracaktuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit