Ditë historike në Bullgari: Kuvendi heq veton ndaj Maqedonisë së Veriut

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 24.06.2022, 14:10

24 qershori 2022 do të mbetet ditë historike në Bullgari.

Kuvendi Popullor i Bullgarisë i dha sot mandat Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian që të miratojë propozimin e Presidencës franceze për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, raportojnë mediat bullgare.

Kështu, Bullgaria heq veton që deri më tani ka bllokuar negociatat e Shkupit, por edhe të Tiranës, për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Pas dy ditësh radhazi seancash të dështuara për shkak të sabotimit të opozitës, sot parlamenti arriti të miratonte heqjen e vetos për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Projektrezolutat konfirmojnë mbështetjen për propozimin francez, por vetëm me këto kushte: të garantohet përfshirja e pakicës bullgare në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, njësoj si pakicat e tjera; të pasqyrohet qartë fakti se asgjë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nuk mund të interpretohet si njohje e gjuhës maqedonase nga Republika e Bullgarisë; BE-ja të garantojë që fqinjësia e mirë të mbetet një kriter gjatë procesit të anëtarësimit.

Sakaq, situata në parlamentin e Bullgarisë nuk është e qetë, pasi grupime deputetësh shprehen totalisht kundër propozimit francez dhe miratimin e tij e konsiderojnë një tradhti.

Por aprovimi i planit të Macron nuk pritet të jetë problem pasi pjesa më e madhe e ligjvënësve e mbështesin atë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit