Sonte fillon protesta e OBRM-PDUKM-së, kërkohen zgjedhje të parakohshme

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 18.06.2022, 10:09

OBRM-PDUKM-ja opozitare sonte do të mbajë protestë të ashtuquajtur për ndryshime në Shkup, përmes së cilës do të dorëzojë sërish kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Protesta është paralajmëruar për të filluar nga ora 20:00 para ndërtesës së Qeverisë.

Partia opozitare ka kohë që insiston në mbajtjen e zgjedhjeve dhe në mënyrë aktive po bllokon aktivitetet në Kuvend.

Vendimi për të protestuar është marrë nga Komiteti Ekzekutiv i OBRM-PDUKM-së më datë 17 të muajit të kaluar, duke kritikuar qeverinë për pamundësinë e saj për të përballuar krizën ekonomike dhe financiare të shoqëruar me rritje të çmimeve dhe inflacion të lartë, rritje të borxhit publik, diplomaci joefikase dhe të papërgjegjshme për fillimin zyrtar të bisedimeve për anëtarësim në BE.

Lideri i partisë Hristijan Mickoski dje në një video fjalim me rastin e ditëlindjes së partisë tha se e shënojnë në shenjë ndryshimi.

“Po dërgojmë mesazh bashkimi kundër qeverisë së keqe dhe qeverisë që po u’a përkeqëson jetën mijëra njerëzve”, tha Mickoski.

Kujtojmë se një ditë më vonë, pra të dielën, kryeministri Dimitar Kovaçevski ka thirrur mbledhje të partnerëve të koalicionit qeveritar për të unifikuar mendimin se zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë, pavarësisht insistimit nga OBRM-PDUKM.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit